Shqipëria po plaket më tepër se çdo vend tjetër i Europës, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, Institutit Europian të Statistikave
Rënia e vazhdueshme e lindjeve dhe jetëgjatësia më e lartë po transformojnë formën e piramidës së popullsisë së BE-së. Emigracioni masiv, largimi i pandalshëm i të rinjve aktivë për punë, e bën Shqipërinë vendin me normën më të lartë të plakjes së popullsisë në Europë.
Si rezultat i ndryshimeve demografike, përqindja e njerëzve në moshë pune në BE po zvogëlohet, ndërsa numri relativ i atyre që dalin në pension po rritet. Pjesa e të moshuarve në popullsinë totale pritet të rritet ndjeshëm në dekadat e ardhshme. Kjo, nga ana tjetër, mund të çojë në një barrë më të madhe mbi ata në moshë pune për të siguruar shpenzimet sociale të kërkuara nga popullsia në plakje për një gamë shërbimesh të lidhura me to.

Rritja e pjesës së popullsisë së moshës 65 vjeç e lart midis viteve 2015 dhe 2025
(Shqipëria me 8.8 pikë përqindjeje kryeson normat e plakjes së popullsisë në Europë)
Popullsia e BE-së më 1 janar 2025 vlerësohej në 450.6 milionë banorë. Fëmijët e moshës 0 deri në 14 vjeç përbënin 14.4% të popullsisë së BE-së, ndërsa personat që konsideroheshin në moshë pune (15 deri në 64 vjeç) përbënin 63.6% të popullsisë. Të moshuarit (65 vjeç e lart) kishin një pjesëmarrje prej 22.0% (një rritje prej 0.4 pikësh përqindjeje (pp) krahasuar me vitin e kaluar dhe një rritje prej 2.9 pp krahasuar me 10 vjet më parë). Për krahasim, në vitin 2024, 3 grupet e popullsisë, fëmijët (0 deri në 14 vjeç), mosha pune (15 deri në 64 vjeç) dhe të moshuarit (65 vjeç e lart) përfaqësonin përkatësisht 14.6%, 63.8% dhe 21.6% të popullsisë së BE-së.
Edhe mosha mesatare e popullsisë së BE-së është duke u rritur.

Mosha mesatare në BE u rrit me 2.1 vjet (mesatarisht me 0.21 vjet në vit) midis viteve 2015 dhe 2025, duke u rritur nga 42.8 vjet në 44.7 në vitin 2024 dhe në 44.9 vjet në vitin 2025. Ajo u rrit në pothuajse të gjitha vendet e BE-së, rritja më e lartë u regjistrua në Sllovaki dhe Qipro me 4 vjet, por jo në Gjermani, ku ajo ra (nga 45.9 vjet në vitin 2015 në 45.5 vjet në vitin 2025). Shqipëria me 44.3 ndodhet në normën e mesatares së BE-së.
Plakja e popullsisë është një trend afatgjatë që filloi disa dekada më parë në Evropë. Ky trend është i dukshëm në transformimet e strukturës moshore të popullsisë dhe reflektohet në një pjesë në rritje të të moshuarve, së bashku me një pjesë në rënie të personave në moshë pune në popullsinë totale. /MAPO.al-A.D
