Katër persona kanë humbur jetën pas një aksidenti tragjik mes një treni dhe një furgoni shkollor në një kalim hekurudhor në qytetin Buggenhout, në veri të Brukselit.
Mes viktimave janë dy nxënës me nevoja të veçanta, të moshës 12 dhe 15 vjeç, drejtuesi i mjetit 49 vjeç dhe një shoqërues 27 vjeç, bëri të ditur zyra e prokurorisë lokale, e cila ka nisur hetimet për ngjarjen.
Sipas autoriteteve, barriera e sigurisë në kalimin hekurudhor ishte e mbyllur në momentin e aksidentit, por ende nuk është e qartë se si furgoni arriti të kalojë dhe të përplaset me trenin.
Furgoni u gjet i përmbysur pranë shinave, me pjesën e përparme të dëmtuar rëndë, ndërsa treni që transportonte rreth 100 pasagjerë nuk raportoi të lënduar seriozisht.
Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës, teksa furgoni po transportonte gjithsej shtatë nxënës drejt shkollës. Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes tragjike./mxh
