Ministria e Jashtme ruse ka paralajmëruar “sulme sistematike” ndaj objektivave në Kiev, duke rritur më tej tensionet në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi për mediat se paralajmërimet e Moskës nuk i drejtohen vetëm qytetarëve ukrainas, por edhe përfaqësuesve të huaj dhe misioneve diplomatike në Kiev.
Ajo tha se objektivat e mundshëm përfshijnë infrastrukturën e lidhur me kompleksin ushtarako-industrial, qendrat e vendimmarrjes dhe çdo objekt që sipas Rusisë përbën kërcënim.
“Ne kemi paralajmëruar jo vetëm qytetarët ukrainas dhe banorët e Kievit, por edhe përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe misionet e tyre diplomatike për sulme sistematike ndaj infrastrukturës përkatëse,” u shpreh Zakharova.
Në një deklaratë tjetër, ajo akuzoi Ukrainën për sulme ndaj civilëve, duke i cilësuar ato si “kërcënim terrorist i pakontrolluar”.
Deklaratat vijnë pas njoftimeve të Ministrisë së Jashtme ruse se sulmet janë përgjigje ndaj një sulmi me dronë nga Ukraina në rajonin e Luhanskut, pretendim që Kievi e ka mohuar, duke thënë se objektivi ka qenë një njësi elitare ruse për dronë./mxh
