Kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi se dënimi ndaj dy adoleshentëve të shpallur fajtorë për përdhunimin e dy vajzave në Hampshire do të rishqyrtohet nga Gjykata e Apelit, pas reagimeve të forta publike ndaj vendimit për të mos i dënuar me burg.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Britani, pasi gjykata në Southampton vendosi që dy të rinjtë të mos përballeshin me burgim, por me masa rehabilitimi për të mitur. Gjykatësi argumentoi se synimi ishte shmangia e “kriminalizimit të panevojshëm” të tyre.
Duke folur gjatë një vizite në East Sussex, Starmer e cilësoi rastin si “thellësisht shqetësues”.
“Është një rast tronditës për këdo. Guximi i vajzave për të dalë përpara është përulës. Si politikan dhe si prind, e gjej këtë shumë shqetësuese,” tha kryeministri britanik.
Ai konfirmoi se Prokurori i Përgjithshëm ka përdorur kompetencën për ta referuar çështjen në Gjykatën e Apelit, e cila tashmë do të shqyrtojë nëse dënimi ka qenë tepër i butë.
Gjatë së njëjtës dalje publike, Starmer komentoi edhe zhvillimet politike në Skoci, pas pranimit të fajësisë për përvetësim fondesh nga ish-drejtuesi ekzekutiv i Partisë Kombëtare Skoceze, Peter Murrell.
Ndërkohë, kryeministri britanik paralajmëroi gjithashtu masa të reja për kontrollin e rrjeteve sociale për fëmijët, duke deklaruar se qeveria do të ndërmarrë veprime konkrete shumë shpejt./mxh
