Në Kent të Britanisë së Madhe, mijëra banorë kanë mbetur pa ujë të pijshëm për shkak të rritjes së ndjeshme të konsumit gjatë valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin.
Autoritetet lokale kanë shpërndarë ujë të ambalazhuar në pika emergjente të ngritura posaçërisht për qytetarët e prekur nga mungesa e furnizimit.
Sipas kompanisë “South East Water”, rreth 8 mijë klientë në zonën bregdetare të Whitstable kanë mbetur pa ujë, pasi rezervuarët kanë arritur nivele kritike për shkak të kërkesës shumë të lartë.
Ndërkohë, edhe rreth 7 mijë banorë në zonat Tankerton dhe Ashford po përballen me furnizim të ndërprerë ose të paqëndrueshëm me ujë.
Autoritetet njoftojnë se furnizimi me ujë pritet të rikthehet gradualisht të premten, por paralajmërojnë se gjatë fundjavës mund të ketë ende kufizime në disa zona./mxh
