Last Updated on 28/05/2026 by EL
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku deklaron se gjatë katër muajve të parë të vitit janë krijuar 550 milionë euro shtesë në buxhet, por që sipas saj mbeten të pashpenzuara dhe nuk po orientohen drejt sektorëve jetikë të ekonomisë.
“Qytetarët po paguajnë më shumë dhe po dalin më shumë para nga xhepat e tyre. Por a shkojnë këto para në ekonomi, në bujqësi, në arsim apo në shëndetësi? Përgjigjja është jo”, shprehet Tabaku.
Deputetja demokrate e lidh këtë situatë me mënyrën se si shpërndahen fondet publike dhe me përqendrimin e tenderave tek një grup i vogël kompanish.
Sipas saj, “20 kompani marrin 58% të tenderave”, ndërsa konkurrenca në ekonomi, koncesione dhe prokurime publike është zëvendësuar nga një sistem që favorizon pakicën.
Tabaku argumenton se modeli aktual ekonomik nuk prodhon zhvillim dhe nuk i rikthen paratë në ekonomi, por vetëm rrit fitimet e një grupi biznesesh të lidhura me pushtetin.
“Ky sistem i kapur është arsyeja pse ekonomia nuk zhvillohet, pse emigracioni vazhdon dhe pse sektorë të tërë mbeten pa gjallëri”, deklaron ajo.
Në fund të reagimit, Tabaku thekson se ndryshimi i ekonomisë shqiptare kërkon ndryshim të filozofisë së qeverisjes, duke akuzuar mazhorancën se “e ka trajtuar buxhetin si plaçkë”./et
