Tetë nxënëse janë arrestuar nga autoritetet keniane nën dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme, pas tragjedisë së rëndë në një shkollë konvikti për vajza në qytezën Gilgil, në qarkun Nakuru, ku humbën jetën 16 nxënëse.
Sipas Drejtorisë së Hetimeve Kriminale në Kenia, zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit të së enjtes në konviktin “Meline Waithera” të shkollës “Utumishi Girls Senior Secondary School”. Flakët përfshinë katin e parë të godinës dykatëshe, ku ndodheshin 135 krevate marinari të shpërndarë në 12 dhoma.
Pas përfundimit të operacioneve të shpëtimit, një ekip i posaçëm hetimor i udhëhequr nga Drejtori i Hetimeve të Vrasjeve mori në dorë çështjen. Në operacion morën pjesë policia, ushtria keniane, Kryqi i Kuq, autoritetet lokale dhe ekspertë të mjekësisë ligjore.
Hetuesit kanë kryer ekzaminime të detajuara në vendngjarje për të përcaktuar pikën e nisjes së zjarrit, burimin e mundshëm të ndezjes dhe nëse janë përdorur lëndë përshpejtuese të flakëve. Po ashtu po analizohen instalimet elektrike dhe pamjet e kamerave të sigurisë.
Policia bëri të ditur se hetimet paraprake kanë identifikuar tetë nxënëse si persona të dyshuar për planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit të dyshuar me zjarrvënie. Të gjitha janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim ndërsa vijojnë marrjet në pyetje.
Nga tragjedia mbetën të plagosura edhe 79 nxënëse të tjera, disa prej të cilave po marrin trajtim mjekësor në spitalet e zonës.
Autoritetet keniane u kanë shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe kanë bërë thirrje për qetësi, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë./mxh
