Rrjetet sociale po konsiderohen gjithnjë e më shumë si një kërcënim serioz për shëndetin e fëmijëve dhe adoleshentëve.
Në Britaninë e Madhe, mjekët kanë ngritur alarmin duke e krahasuar ndikimin e platformave digjitale me rreziqe të njohura për shoqërinë, si duhanpirja.
Akademia e Kolegjeve Mbretërore Mjekësore, që përfaqëson 23 organizata profesionale në Britani dhe Irlandë, i ka bërë thirrje qeverisë britanike të ndërmarrw masa më të forta për mbrojtjen e të miturve nga varësia e rrjezeve sociale.
Në një raport të paraqitur në konsultimin kombëtar për sigurinë online të fëmijëve, mjekët paralajmërojnë se ekspozimi i pakontrolluar ndaj teknologjisë po sjell pasoja të rënda fizike dhe psikologjike tek të rinjtë.
Sipas raportit, më shumë se gjysma e 132 mjekëve të pyetur kanë parë çdo javw raste të dëmtimeve që lidhen me përdorimin e pajisjeve teknologjike dhe rrjeteve sociale.
Ndërsa mbi një e treta deklarojnë se përballen me raste të tilla disa herë në javë.
Mjekët thonë se problemet variojnë nga dëmtimet fizike, të shkaktuara nga imitimi i videove të dhunshme apo përmbajtjeve pornografike e, deri tek trauma psikologjike, ankthi, depresioni dhe varësia nga ekrani.
Britania, ashtu si shumica e vendeve ecropiane, po shqyrton aktualisht masa të reja kufizuese për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit.
Mes propozimeve diskutohet ndalimi i aksesit për fëmijët nën 16 vjeç, vendosja e kufizimeve kohore për aplikacionet, si dhe bllokimi i disa funksioneve që konsiderohen të krijuara për të nxitur varësinë.
Qeveria britanike ka deklaruar se ligji aktual për sigurinë online nuk është më i mjaftueshëm për të mbrojtur të rinjtë nga përmbajtjet e dëmshme.
Sekretarja britanike për Teknologjinë, Liz Kendall, deklaroi për BBC se qeveria është e vendosur të ndërhyjë.
Ajo tha se pyetja nuk është më nëse do të merren masa, por çfarë forme do të kenë ato, duke mos përjashtuar as një ndalim të plotë të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
Australia është bërë vendi i parë në botë që ka vendosur ndalim të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa edhe disa vende europiane po shqyrtojnë masa të ngjashme.
Ndërkohë në Britani, qindra familje po marrin pjesë në eksperimente sociale për të testuar efektet e ndalimit të telefonit gjatë natës, kufizimeve kohore dhe reduktimit të përdorimit të aplikacioneve.
Qëllimi është të kuptohet se si këto masa ndikojnë tek gjumi i fëmijëve, rezultatet në shkollë dhe marrëdhëniet familjare.
Megjithatë, ekspertët mbeten të ndarë mbi efektivitetin e një ndalimi total.
Disa argumentojnë se kufizimet mund të mbrojnë shëndetin mendor të fëmijëve, ndërsa të tjerë paralajmërojnë se ndalimet e plota mund të sjellin izolim social apo mënyra të tjera të fshehta përdorimi.
Edhe vetë të rinjtë kanë reaguar kundër masave të ashpra.
Një grup adoleshentësh në Londër i thanë agjencisë Reuters se kundërshtojnë kufizimet, duke argumentuar se rrjetet sociale janë pjesë e jetës së tyre të përditshme dhe e komunikimit me shoqërinë.
Ndërsa debati vazhdon, presioni ndaj qeverive për të vendosur rregulla më të forta për sigurinë online po rritet çdo ditë e më shumë./MXH
