Ministria e Brendshme britanike (Home Office) pritet të nisë përdorimin e testeve të njohjes së fytyrës me inteligjencë artificiale për të vlerësuar moshën e azilkërkuesve që pretendojnë se janë të mitur.
Kompania e teknologjisë Akhter Computers, me seli në Harlow, ka fituar një kontratë me vlerë 322 mijë paund (rreth 432 mijë dollarë) për të ofruar “një algoritëm që mund të parashikojë me saktësi moshën e një personi”, sipas një njoftimi zyrtar të publikuar të premten.
Sipas Home Office, teknologjia mund të përdoret për të përcaktuar moshën e personave që nuk disponojnë dokumente të verifikueshme identiteti, siç janë migrantët që mbërrijnë në Britaninë e Madhe me varka të vogla.
Autoritetet britanike theksuan se sistemi i ri do të përdoret krahas metodave ekzistuese të vlerësimit të moshës dhe se gjatë testeve fillestare ka treguar “rezultate dhe saktësi premtuese”.
Fëmijët e pashoqëruar që kërkojnë azil trajtohen ndryshe nga të rriturit dhe statusi i tyre si persona nën moshën 18-vjeçare mund të ndikojë në disa raste edhe në vendimin për dhënien e azilit.
Aktualisht, vlerësimet e moshës kryhen nga zyrtarët e emigracionit kur ekzistojnë dyshime mbi moshën e deklaruar të azilkërkuesit.
Megjithatë, një raport i vitit të kaluar zbuloi se disa punonjës në qendrën e pritjes “Western Jet Foil” në Dover nuk kishin trajnim të mjaftueshëm për këtë proces.
Raporti i hartuar nga Inspektori i Pavarur Kryesor për Kufijtë dhe Emigracionin theksoi gjithashtu se ishte “e pashmangshme” që disa vlerësime të rezultonin të pasakta “në mungesë të një testi të pagabueshëm” për përcaktimin e moshës reale.
Gjatë periudhës njëvjeçare deri në mars 2026, rreth 6.420 persona iu nënshtruan një vlerësimi fillestar të moshës, që përbën 7% të të gjithë azilkërkuesve në Mbretërinë e Bashkuar. Nga këta, 43% u vlerësuan si të rritur.
Megjithatë, këto vendime mund të kundërshtohen. Të dhënat zyrtare tregojnë se 17% e personave që në gjysmën e dytë të vitit 2025 ishin klasifikuar fillimisht si të rritur, më vonë u konfirmuan si fëmijë, ndërsa shumë raste të tjera presin rivlerësim./MXH
