Me pak kohë, ujë të ngrohtë, piling dhe kujdes të rregullt, shputat mund të zbuten, thembrat të pastrohen dhe thonjtë të marrin pamje të rregullt pa trajtime të shtrenjta
Dëshironi shputa të buta, të pastra dhe të kuruara pa shkuar në sallon? Lajmi i mirë është se, me disa hapa të thjeshtë, mund të bëni pedikyr në shtëpi dhe të arrini një rezultat shumë të mirë. Nuk ju duhen shumë produkte, por pak kohë, kujdes dhe rregullsi.
Përgatitni një banjë relaksuese për këmbët
Çdo pedikyr i mirë fillon me ujë të ngrohtë. Në një legen hidhni ujë të vakët, shtoni pak kripë për banjë dhe disa pika vaj esencial, si livandë ose mentë.
Mbajini këmbët në ujë rreth 10 deri në 15 minuta, që lëkura të zbutet dhe të përgatitet për kujdesin e mëtejshëm.
Për ndjesi më të freskët mund të shtoni edhe disa pika limoni. Ai ndihmon në zbutjen e lëkurës dhe i jep këmbëve ndjesi pastërtie.
Hiqni lëkurën e vdekur dhe trashjet
Pas banjës, lëkura është më e butë dhe trashjet hiqen më lehtë. Përdorni gur për thembra ose limë për këmbë dhe, me lëvizje të buta, largoni lëkurën e thatë.
Kushtojuni më shumë kujdes thembrave, pjesës së poshtme të shputës, anëve të këmbës dhe zonës poshtë gishtave.
Qëllimi nuk është fërkimi i fortë, por zbutja graduale e lëkurës dhe një pamje më e kuruar.
Bëni piling për shputa më të buta
Pilingu është një hap i rëndësishëm për shputa të lëmuara. Mund të përdorni një produkt të gatshëm ose ta përgatisni vetë me vaj ulliri dhe sheqer.
Masazhojini këmbët me lëvizje rrethore, nga gishtat drejt thembrave. Kjo ndihmon qarkullimin e gjakut dhe e bën lëkurën më të butë.
Më pas shpëlajini këmbët me ujë të ngrohtë dhe thajini me kujdes me peshqir.
Rregulloni thonjtë dhe kutikulat
Prisni thonjtë me gërshërë ose prerëse, por jo shumë shkurt, për të shmangur rritjen e tyre në mish.
Me limë, jepuni formë të drejtë ose sipas dëshirës. Pastaj vendosni pak vaj për kutikula dhe shtyjini butësisht me një shkop druri.
Shmangni prerjen e kutikulave, sepse mund të dëmtoni lëkurën rreth thonjve dhe të krijoni irritim.
Vendosni maskë ose krem të pasur për këmbët
Ky është hapi që shumë njerëz e anashkalojnë, por pikërisht ai bën dallimin në butësinë dhe pamjen e shputave.
Mund të përdorni krem ushqyes, maskë për këmbë ose çorape hidratuese. Më të dobishme janë produktet me gjalpë shea, vaj kokosi ose vaj bajameje.
Lëreni të veprojë të paktën 10 deri në 15 minuta, që lëkura të marrë hidratimin e nevojshëm.
Lyeni thonjtë si në sallon
Para se të vendosni manikyr, fshijini thonjtë me pak aceton, që të largohen mbetjet e vajit dhe kremit.
Fillimisht vendosni bazën mbrojtëse, pastaj dy shtresa manikyri me ngjyrë dhe në fund një shtresë për shkëlqim dhe qëndrueshmëri.
Nëse nuk keni ndarëse për gishtat, mund të përdorni copa të vogla letre të palosur.
Prisni që secila shtresë të thahet mirë para se të vendosni tjetrën, në mënyrë që manikyri të zgjasë më shumë.
Përfundojeni me një masazh të lehtë
Në fund, bëni një masazh të shkurtër me krem hidratues. Masazhoni çdo gisht, harkun e shputës dhe thembrat.
Kjo ndihmon qarkullimin, relakson trupin dhe u jep këmbëve pamje më të shëndetshme e të kuruar.
Pse është i rëndësishëm pedikyri i rregullt?
Pedikyri i rregullt ndihmon në parandalimin e çarjes së thembrave, largon lëkurën e vdekur, përmirëson pamjen e këmbëve, ndihmon higjienën dhe ul ndjesinë e lodhjes.
Kur bëhet me kujdes dhe rregullisht, pedikyri në shtëpi mund të jetë shumë i dobishëm dhe i mjaftueshëm për këmbë të buta, të pastra dhe të rregulluara. /ET

