Neymar është përfshirë në polemika në prag të Kupës së Botës 2026, pas raportimeve se ka fshehur gjendjen reale të dëmtimit të tij.
Sulmuesi 34-vjeçar i Santosit u grumbullua nga trajneri Carlo Ancelotti në listën e Brazilit, pas mbështetjes së disa lojtarëve si Casemiro dhe Vinicius Jr.
Megjithatë, mediat braziliane raportojnë se lojtari vuan nga një këputje muskulore e gradës së dytë në viç, e shoqëruar me gjakderdhje dhe inflamacion.
Për këtë arsye, Neymar nuk pritet të luajë në ndeshjet miqësore ndaj Panamasë dhe Egjiptit, ndërsa mbetet në dyshim edhe përballja me Marokun më 13 qershor. Sulmuesi mbërriti në kampin stërvitor në Teresopolis, por nuk ishte në gjendje të zhvillonte stërvitje me grupin.
Situata ka krijuar pakënaqësi edhe brenda skuadrës braziliane, pasi disa futbollistë ndihen të keqinformuar për gjendjen e tij fizike. Ndërkohë, Carlo Ancelotti është kritikuar për vendimin për ta përfshirë Neymarin në listën përfundimtare.
Futbollisti ka afat deri më 12 qershor për të bindur stafin teknik se mund të jetë gati për Kupën e Botës./mxh
