Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gëzon një gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe është plotësisht i aftë për të përmbushur detyrat e postit të tij. Ky është përfundimi i raportit të fundit mjekësor vjetor, i publikuar të premten në mbrëmje. Raporti është firmosur nga mjeku personal i presidentit, Dr. Sean Barbabella, dhe bazohet në ekzaminimet që Trump iu nënshtrua të martën në Walter Reed National Military Medical Center.
Sipas dokumentit, presidenti 79-vjeçar iu nënshtrua një kontrolli të plotë mjekësor, që përfshinte skanim me tomografi të kompjuterizuar (CT), ekzaminime të specializuara të zemrës, si dhe kontrolle parandaluese për forma të ndryshme të kancerit. Në vlerësimin e tij morën pjesë 22 mjekë nga specialitete të ndryshme.
Mjekët kanë arritur në përfundimin se funksionet fizike dhe njohëse të presidentit mbeten në nivele të shkëlqyera, duke theksuar se ai zotëron aftësitë e nevojshme fizike dhe mendore për të ushtruar detyrën e kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Vetë Trump, menjëherë pas përfundimit të kontrolleve, deklaroi se gjithçka kishte shkuar “në mënyrë perfekte”, duke shprehur kënaqësi për rezultatet e ekzaminimit. Raporti evidenton gjithashtu se pesha e presidentit ka arritur në 108 kilogramë, rreth gjashtë kilogramë më shumë krahasuar me vlerësimin e fundit zyrtar mjekësor të kryer në prill të vitit 2025. Për këtë arsye, mjekët i kanë rekomanduar ndryshime të caktuara në dietë, aktivitet fizik dhe menaxhimin e peshës trupore.
Megjithatë, stafi mjekësor thekson se tabloja e përgjithshme shëndetësore e presidentit amerikan mbetet shumë pozitive, ndërsa performanca e tij fizike dhe njohëse përshkruhet si “e shkëlqyer”./a.d
