Ka momente kur të gjithë ndihemi sikur kemi humbur drejtimin. Projektet grumbullohen, stresi rritet dhe mendja kalon nga një shqetësim te tjetri pa gjetur zgjidhje. Por ajo që dallon njerëzit më inteligjentë nuk është mungesa e problemeve, por pyetjet që i bëjnë vetes kur përballen me to.
Në vend që të kërkojnë dhjetëra zgjidhje, ata përpiqen të gjejnë atë një gjë që mund të bëjë diferencën më të madhe.
Ja 10 pyetjet që ia vlen t’ia bësh vetes sa herë ndihesh i/e bllokuar:
1. Çfarë është një gjë që mund të bëj sot që do ta bëjë jetën time më të lehtë ose më kuptimplotë?
Shpesh përpiqemi të ndryshojmë gjithçka njëherësh, por ndryshimet më të mëdha vijnë nga veprimet e vogla me ndikim të madh. Fokusohu tek ajo gjë që do të ndikojë pozitivisht në pjesën tjetër të ditës apo jetës tënde.
2. Cili zakon, nëse do ta ndërtoja dhe ruaja me vazhdimësi, do të përmirësonte më shumë energjinë dhe mirëqenien time?
Qoftë ecja, meditimi, joga apo një rutinë më e mirë gjumi, disa zakone kanë efekt zinxhir në gjithë jetën tonë. Një zakon i mirë mund të ndryshojë mënyrën si ndihesh, mendon dhe vepron çdo ditë.
3. Për çfarë po them “po”, kur në fakt duhet të filloj të them “jo”?
Sa më shumë angazhime marrim përsipër, aq më pak kohë dhe energji kemi për gjërat që kanë vërtet rëndësi. Ndonjëherë “jo”-ja më e vështirë është pikërisht ajo që na çliron.
4. Për çfarë dua të më kujtojnë njerëzit dhe si mund ta mishëroj këtë që sot?
Kjo pyetje të detyron të mendosh përtej rutinës së përditshme. Çfarë ndikimi dëshiron të lësh? Çfarë lloj personi dëshiron të jesh? Përgjigjja mund të ndryshojë mënyrën si vepron që tani.
5. Cila është ajo gjë që po e shtyj prej kohësh dhe që, sapo ta përfundoj, do të më japë lehtësimin më të madh?
Të gjithë kemi një detyrë që e shmangim. Ironikisht, zakonisht është pikërisht ajo që na rëndon më shumë mendërisht. Përfundoje dhe do të kuptosh sa energji të ka marrë pa e kuptuar.
6. Cila marrëdhënie në jetën time, nëse do të përmirësohej, do të më sillte më shumë lumturi dhe mbështetje?
Familja, partneri, një mik i afërt. Shpesh cilësia e jetës sonë lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e marrëdhënieve tona. Një bisedë e sinqertë mund të ndryshojë më shumë sesa mendon.
7. Çfarë mund të heq nga jeta ime për t’i lënë vend asaj që ka vërtet rëndësi?
Koha është burimi më i kufizuar që kemi. Një punë toksike, një zakon i keq apo një angazhim që nuk të sjell asgjë të mirë mund të jetë pikërisht ajo që duhet të lësh pas.
8. Cili besim për veten po më pengon të jetoj potencialin tim të plotë?
Ndoshta dikush të ka quajtur dembel/e, jo mjaftueshëm i/e zgjuar apo i/e aftë vite më parë. Por kjo nuk do të thotë se është e vërtetë. Shumë nga kufijtë që kemi sot janë histori që vazhdojmë t’ia tregojmë vetes.
9. Cili aktivitet më bën të ndihem më gjallë dhe më i/e lidhur me veten?
Mendo për një moment kur je ndier vërtet mirë. Çfarë po bëje? Ku ishe? Çfarë të jepte kënaqësi? Përgjigjja mund të të tregojë se çfarë të mungon aktualisht në jetën tënde.
10. Çfarë mund të bëj për ta bërë rutinën time të përditshme më të thjeshtë dhe më të këndshme?
Nuk ka nevojë për rutina perfekte. Mjafton të krijosh një ditë që të ndihmon të funksionosh më mirë, me më pak stres dhe më shumë qetësi. Shpesh zgjidhjet më të mira janë edhe më të thjeshtat./mxh
