Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan do të shqyrtojë më 4 qershor kandidaturën e gjeneralit në pension, Eric Wendt të nominuar nga presidenti amerikan Donald Trump për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Në mbledhjen e cila do të nisë në orën 10:00 sipas kohës lokale, anëtarët e komitetit do të vendosin nëse nominimi i Wendt do të dërgohet për miratim në Senat. Kjo përbën hapin e fundit procedural përpara konfirmimit të tij zyrtar si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Kujtojmë se më 20 maj, Wendt raportoi para Senatit ku prezantoi prioritetet dhe objektivat e punës së tij nëse zgjidhet ambasador. Ai e theksoi në raportimin e tij se një ndër linjat e tij kryesore do të jetë mbështetja ndaj institucioneve të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndër të tjera vlerësoi punën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ai u shpreh konkretisht se SPAK është një institucion shumë i vlefshëm dhe i pavarur. Gjithashtu theksoi se është një strukturë efektive në luftën kundër korrupsionit. Ndërsa e cilësoi si një institucion apolitik dhe të pavarur, ai u shpreh se nëse konfirmohet si ambassador i SHBA-së në Shqipëri do të mbështesë operacionet e SPAK si dhe hetimet e tyre.
Gjeneral-lejtnant, Eric Wendt lindi më 7 tetor 1964, në Berkeley të Kalifornisë. Ai ka një diplomë Bachelor në Drejtësi dhe Shoqëri dhe një Master në Çështjet e Sigurisë Kombëtare nga Shkolla Pasuniversitare Detare në Monterey, Kaliforni.
Wendt ka shërbyer si oficer në detyrë aktive të Ushtrisë që nga viti 1986. Ai shërbeu gati pesë vjet në Këmbësori dhe që atëherë ka shërbyer si Beretë e Gjelbër, Oficer i Forcave Speciale që nga viti 1991.
Wendt ka shërbyer në Indonezi si Shef Ekipi për Komandantin e Komandës së Paqësorit të SHBA-së, Ekipin e Vlerësimit të Situatës në Paqësor, në Operacionin Liria e Qëndrueshme-Filipine në Mindanao në Filipinet jugore, në dy turne detyre në Operacionin Liria e Irakut dhe në Operacionin Liria e Qëndrueshme-Afganistan.
Përveç pozicioneve të shumta në staf, përfshirë shërbimin si Ndihmës Kryesor Ushtarak i Sekretarit të Mbrojtjes, ai ka komanduar në çdo nivel të Forcave Speciale nga Ekipi A deri te Komanda e Operacioneve Speciale të Nën-Unifikuara të Teatrit./mxh
