Autoritetet në qytetin e Newarkut, në shtetin e New Jersey, kanë vendosur shtetrrethim gjatë natës në zonën përreth qendrës së ndalimit për emigrantët Delaney Hall, pas disa ditësh protestash dhe përplasjesh mes demonstruesve dhe forcave të rendit.
Vendimi u njoftua nga Ras Baraka, i cili tha se kufizimet do të jenë në fuqi nga ora 21:00 deri në 06:00 brenda një rrezeje prej 800 metrash nga qendra e ndalimit. Sipas tij, situata është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa disa persona janë arrestuar dhe janë konstatuar me armë.
Qendra e ndalimit Delaney Hall, e menaxhuar nga U.S. Immigration and Customs Enforcement, është shndërruar në qendrën e protestave kundër politikave amerikane të emigracionit. Objekti ka kapacitet për rreth 1,000 persona dhe prej ditësh është rrethuar nga demonstrues që kundërshtojnë kushtet e ndalimit dhe proceset e deportimit.
Mbrëmjen e fundit u raportuan incidente të reja jashtë qendrës, ndërsa protestuesit u përplasën me policinë. Sipas autoriteteve, gjatë një demonstrate që fillimisht ishte paqësore, një grup protestuesish tentoi të thyente kordonin e sigurisë, duke detyruar policinë të përdorte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Përballë situatës, guvernatorja e New Jersey, Mikie Sherrill, dënoi aktet e dhunës dhe u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë rendin publik. Ajo theksoi se veprime të tilla rrezikojnë sigurinë publike dhe nuk mund të tolerohen.
Autoritetet kishin ndërmarrë më herët masa për të ulur tensionet, duke transferuar përgjegjësinë e sigurisë nga ICE te policia shtetërore dhe duke krijuar zona të posaçme për protestuesit. Megjithatë, këto masa nuk arritën të parandalonin përplasjet e fundit.
Protestat shpërthyen pasi qindra emigrantë të ndaluar në Delaney Hall nisën një grevë urie dhe një grevë pune, duke protestuar kundër kushteve të jetesës brenda qendrës. Në një letër të publikuar nga Cosecha, rreth 300 të ndaluar pretendojnë se mbahen pa baza të mjaftueshme ligjore, nuk marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor dhe përballen me cilësi të dobët ushqimi.
Lëvizja e tyre ka marrë mbështetjen e disa politikanëve demokratë dhe organizatave për të drejtat e emigrantëve. Ndërkohë, tensionet vazhdojnë të rriten, duke e kthyer çështjen e emigracionit në një nga debatet më të nxehta politike në Shtetet e Bashkuara, mes kritikëve dhe mbështetësve të politikave të administratës së Donald Trump./a.d
