Last Updated on 01/06/2026 by Anisa
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas incidentit të ndodhur në Zvërnec, ku një protestues u dhunua nga punonjës të sigurisë private në zonën e kantierit, duke theksuar se autoritetet shqiptare kanë marrë menjëherë masat e nevojshme dhe se çështja po ndiqet në koordinim me palën greke.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria shprehu keqardhje për ngjarjen dhe bëri të ditur se personi i dhunuar është shtetas me shtetësi të dyfishtë shqiptare dhe greke. Sipas saj, autoritetet e Shqipërisë dhe Greqisë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm në nivele të ndryshme për trajtimin e rastit.
“Lidhur me këtë çështje, autoritetet e të dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë, kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm. Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Greqinë, të bazuara në respektin e ndërsjellë, dialogun e hapur dhe vlerat e përbashkëta evropiane”, thuhet në reagim.
Ministria njofton se autoritetet shqiptare kanë identifikuar dhe arrestuar punonjësin e kompanisë së sigurisë që dyshohet si përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, ndërsa dy punonjës të tjerë janë proceduar penalisht.
Gjithashtu, është nisur një hetim disiplinor për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë institucionale. Në deklaratë theksohet se mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut mbeten vlera themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Pas ngjarjes, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, njoftoi pezullimin nga detyra të drejtuesit të Policisë së Vlorës. Sipas Policisë së Shtetit, masa u mor pasi drejtuesi vendor kishte raportuar në mënyrë të pasaktë se qytetari i dhunuar ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit.
Incidenti në Zvërnec ka shkaktuar reagime të shumta publike dhe politike, ndërsa autoritetet shqiptare kanë deklaruar se do të vijojnë hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vendosjen e përgjegjësive përkatëse./a.d
