Petro Koçi ka reaguar lidhur me debatet e krijuara pas incidentit të fundit në Zvërnec, duke deklaruar se Greqia nuk ka asnjë arsye për të ndërhyrë në këtë çështje, e cila sipas tij nuk lidhet me trajtimin e minoriteteve në Shqipëri.
Koçi thekson se personi i përfshirë në incident nuk ka pasur të identifikuar publikisht ndonjë pasaportë greke dhe se, në çdo rast, nëse ai ka shtetësi të dyfishtë, mbetet njëkohësisht edhe shtetas shqiptar. Sipas tij, një qytetar me dy shtetësi nuk mund të trajtohet si më i privilegjuar se të tjerët përpara ligjit.
“Një qytetar me dy shtetësi nuk konsiderohet më i barabartë se të tjerët”, është shprehur Koçi, duke nënvizuar parimin e barazisë para ligjit.
Duke komentuar vetë incidentin, ai e ka cilësuar ngjarjen si “sjellje gangsterësh”, ndërsa ka shtuar se reagimi i opinionit publik është i lidhur jo vetëm me aktin e dhunës, por edhe me mënyrën se si funksionojnë institucionet që administrojnë pronën në vend.
Sipas tij, një nga shqetësimet kryesore mbetet mënyra e punës së kadastrave, ku qytetarët e zakonshëm përballen me vonesa dhe burokraci, ndërsa persona të tjerë, sipas tij, arrijnë më lehtë të sigurojnë dokumente pronësie.
“Indinjimi i opinionit publik lidhet edhe me mënyrën si punojnë kadastrat në vend. Të pasurit i sigurojnë lehtësisht certifikatat e pronësisë, ndërsa qytetarët e thjeshtë rropaten në zyra dhe mbeten pa zgjidhje”, ka deklaruar ai.
Koçi gjithashtu ka theksuar se, nëse SPAK ka nisur hetime mbi mënyrën e tjetërsimit të pronave në zonën e Zvërnecit, ky është një zhvillim i rëndësishëm dhe i mirëpritur nga publiku./A.D
