Banja duhet të jetë njëkohësisht funksionale dhe elegante. Por zgjedhjet e gabuara në dizajn mund ta bëjnë atë jopraktike, të vjetëruar ose të errët. Ekspertët tregojnë gabimet që shohin më shpesh dhe çfarë do të dëshironin që njerëzit të bënin ndryshe.
Banjat zakonisht janë hapësira të vogla, ndaj edhe një gabim i vogël bie shumë në sy. Zgjedhja e pllakave shumë trendi, mungesa e teksturës apo ndriçimi i dobët mund ta pengojnë banjën të ndihet si një ambient relaksues. Fatmirësisht, shumë nga këto gabime rregullohen lehtë pa pasur nevojë për rinovim total. Edhe një ndryshim i vogël, si një tapet i ri, një letër muri e zgjedhur mirë apo ndërrimi i aksesorëve, mund ta transformojë tërësisht hapësirën.
Banja është vendi ku shumica e njerëzve e nisin dhe e mbyllin ditën, ndaj ia vlen t’i kushtohet vëmendje çdo detaji.
1. Zgjedhja e pllakave shumë trendi
Një hapësirë duhet të evoluojë, jo të dalë nga moda. Pllakat shumë trendi ose ngjyrat shumë të forta mund ta bëjnë banjën të duket e vjetëruar shumë shpejt. Rekomandohet përdorimi i materialeve klasike dhe një palete të balancuar, ndërsa personaliteti të shtohet me aksesorë që mund të ndryshohen lehtësisht.
2. Neglizhimi i hapësirës për ruajtje
Një nga gabimet më të mëdha është nënvlerësimi i hapësirës për ruajtje, gjë që sjell rrëmujë në sipërfaqe. Zgjidhjet e organizuara dhe dollapët funksionalë e bëjnë banjën më të pastër, më të qetë dhe më të këndshme.
3. Vendosja e gabuar e ndriçuesve anësorë
Vendosja e dritave në lartësinë e gabuar është një gabim i zakonshëm. Duhet pasur kujdes pozicioni i llambës reale dhe jo vetëm lidhja elektrike në mur.
4. Kursimi në cilësinë e aksesorëve
Aksesorët janë si bizhuteritë e banjës. Produkte të lira mund të kursejnë para në fillim, por nuk zgjasin dhe nuk japin cilësi. Investimi në produkte të qëndrueshme shmang probleme më të mëdha më vonë.
5. Përdorimi i mermerit të hapur pa menduar mirë
Mermeri i çelët është shumë i bukur, por njolloset lehtë, sidomos në dysheme dushi. Zgjidhja është përdorimi i materialeve më rezistente për dyshemenë dhe ruajtja e mermerit për muret.
6. Injorimi i akustikës
Një banjë me vetëm sipërfaqe të forta krijon jehonë dhe ndjesi të ftohtë. Shtimi i tekstileve apo një tapeti ndihmon në përthithjen e zërit dhe krijon ambient më të ngrohtë.
7. Frika nga zgjedhjet e guximshme
Banjat janë hapësira ideale për të eksperimentuar. Pllakat me motive, ngjyrat e forta apo ndriçimi i veçantë mund ta bëjnë banjën shumë më interesante.
8. Mosmendimi për dritaret
Drita natyrale është shumë e rëndësishme. Nëse është e mundur, duhet përmirësuar ndriçimi natyral gjatë ndërtimit, pasi kjo ndikon shumë në atmosferë.
9. Mbështetja vetëm te ndriçimi nga tavani
Ndriçimi nga sipër nuk mjafton. Duhet kombinuar me drita dekorative për të krijuar një ambient më të ngrohtë dhe funksional.
10. Mosvendosja e pllakave deri në tavan
Lënia e një pjese muri pa pllaka e bën banjën të duket e papërfunduar dhe mund të krijojë probleme me lagështinë. Pllakat duhet të shkojnë deri në tavan.
11. Mendimi që çdo gjë duhet të përputhet
Shumë njerëz mendojnë se çdo element duhet të jetë identik, por kjo e bën hapësirën monotone. Është më mirë të kombinohen materiale dhe ngjyra për një pamje më interesante.
12. Vendosja e gabuar e pllakave që imitojnë mermerin
Pllakat duhet të organizohen paraprakisht për të krijuar një pamje natyrale dhe jo të çrregullt.
13. Mosvendosja e rregullatorëve të dritës
Dritat me intensitet të rregullueshëm janë shumë të rëndësishme për të krijuar atmosferë, sidomos për momente relaksi.
14. Zgjedhja e gabuar e letrës së murit
Duhet zgjedhur materiali i duhur për ambientet me lagështirë dhe të merret parasysh vendosja e saj për të shmangur dëmtimet.
15. Vendosja e komandave të dushit direkt poshtë kokës së dushit
Kjo detyron personin të futet në ujë të ftohtë për ta ndezur. Është më praktike që komandat të jenë pranë hyrjes së dushit.
16. Mosprioritizimi i hapësirës së dollapëve
Shumë dizajne humbasin hapësirë të vlefshme për ruajtje. Organizimi i mirë e mban banjën të pastër dhe funksionale.
17. Përdorimi i fugave të bardha në dyshemenë e dushit
Fugat e bardha ndoten shpejt. Është më mirë të përdoret një ngjyrë pak më e errët për mirëmbajtje më të lehtë.
18. Zgjedhja e derës rrëshqitëse për dushin
Këto dyer nuk izolojnë mirë dhe nuk ofrojnë privatësi. Një derë klasike është më funksionale dhe më praktike./mxh
