Një situatë shqetësuese ka vënë në alarm familjen Kardashian-Jenner, pasi Kris Jenner ka marrë një urdhër mbrojtjeje nga gjykata kundër një personi që dyshohet se ka ndjekur dhe shqetësuar anëtarët e familjes.
Sipas mediave ndërkombëtare, urdhri është lëshuar ndaj Kyle Robert DeWick, i cili tashmë e ka të ndaluar të kontaktojë Kris Jenner dhe fëmijët e saj, përfshirë Kim, Kourtney, Khloé, Kylie, Kendall dhe Rob Kardashian. Vendimi i gjykatës parashikon gjithashtu që ai të mos afrohet pranë banesave, vendeve të punës apo automjeteve të tyre.
Dokumentet ligjore tregojnë se DeWick kishte tentuar disa herë të hynte në kontakt me Kylie Jenner, madje duke u paraqitur pranë rezidencës së saj në më shumë se një rast. Ai dyshohet se besonte se kishte një lidhje personale me yllin e reality show-t dhe se ndjenjat ishin reciproke.
Në kërkesën e paraqitur në gjykatë, Kris Jenner ka theksuar se sjellja e tij i ka shkaktuar frikë dhe shqetësim të madh familjes, duke pretenduar se ai ka kërkuar informacione edhe nga fqinjët dhe është shfaqur pranë pronave të tyre.
Një tjetër pretendim i pazakontë i burrit ishte se Kris Jenner e kishte nxitur të kërkonte dorën e Kylie-t për martesë. Megjithatë, sipërmarrësja e njohur e ka mohuar plotësisht këtë version, duke e cilësuar të pavërtetë.
Autoritetet po e trajtojnë rastin me seriozitet, ndërsa raportohet se personi në fjalë ka pasur edhe probleme të mëparshme me ligjin. Dyshimet se ai është shfaqur edhe pranë një prone të lidhur me Kim Kardashian kanë shtuar më tej masat e sigurisë për familjen e famshme./mxh
