Last Updated on 03/06/2026 by Anisa
Prej disa ditësh, projekti gjigant turistik në Zvërnec me vlerë rreth 4 miliardë euro ka ndezur një debat të gjerë publik, duke tërhequr vëmendje jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mediat e rajonit.
Sipas raportimeve, investimi pritet të sjellë në zonë disa prej markave më prestigjioze të hotelerisë botërore, duke synuar ta kthejë Vlorën në një destinacion elitar të turizmit ndërkombëtar.
Ndërkohë, shtypi grek ka raportuar gjerësisht mbi projektin, duke i bërë jehonë edhe protestave të zhvilluara kundër tij në Shqipëri. Në disa prej këtyre raportimeve është përmendur edhe pretendimi se zona e Zvërnecit lidhet me interesa të minoritetit grek, çka ka shtuar më tej debatet publike.
Mbështetësit e projektit e konsiderojnë atë një investim strategjik për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit, që synon pozicionimin e Shqipërisë në segmentin elitar të industrisë së mikpritjes.
Në Zvërnec është folur për bashkëpunime me disa prej markave më të njohura ndërkombëtare të hotelerisë, përfshirë “Mandarin Oriental”, “Atlantis”, “Rosewood”, “Aman Hotels” dhe “Cheval Blanc”, të cilat renditen ndër emrat më prestigjiozë në industrinë globale.
Ky aspekt është përmendur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili ka deklaruar se investitorët kanë marrëveshje me këto brande ndërkombëtare dhe se projekti mund të sjellë ndikim të rëndësishëm ekonomik për vendin.
“Investitorët kanë marrëveshje me ‘Mandarin Oriental’, ‘Atlantis’, ‘Rosewood’, ‘Aman Hotels’ dhe ‘Cheval Blanc’… nëse projekti ecën përpara, ai do të ketë ndikim të madh në zhvillimin e zonës”, është shprehur Rama në një deklarim publik.
Debati mbi projektin vijon të mbetet i hapur, mes mbështetësve që e shohin si një mundësi të madhe zhvillimi për Vlorën dhe Shqipërinë, dhe kritikëve që kërkojnë më shumë transparencë, konsultim publik dhe garanci për ndikimin mjedisor dhe social në zonë./a.d
