Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD, ka paralajmëruar se ecuria e ekonomisë botërore do të varet nga kohëzgjatja e konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa një përshkallëzim i zgjatur mund të sjellë rritje të inflacionit dhe rrezik recesioni në disa vende.
Në raportin e saj më të fundit, OECD parashikon se nëse konflikti zbutet brenda muajve të ardhshëm, rritja ekonomike globale do të ngadalësohet nga 3.4 për qind në vitin 2025 në 2.8 për qind gjatë vitit 2026, për t’u rikuperuar në 3.1 për qind në vitin 2027.
Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Mathias Cormann, tha se përshkallëzimi i tensioneve ka rritur ndjeshëm çmimet e energjisë dhe ka shtuar presionet inflacioniste në ekonominë globale. Sipas tij, inflacioni mesatar në vendet e G20 pritet të arrijë në 4 për qind këtë vit.
OECD paralajmëron se një ndërprerje e zgjatur e furnizimeve energjetike nga Gjiri Persik do të kishte pasoja shumë më të rënda. Në këtë skenar, rritja ekonomike globale mund të bjerë në vetëm 2.1 për qind në vitin 2026 dhe 1.8 për qind në vitin 2027, nivele që zakonisht shfaqen vetëm gjatë krizave të mëdha ekonomike.
Një tjetër shqetësim lidhet me ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin e naftës dhe gazit. Sipas OECD-së, vështirësitë në këtë zonë po ndikojnë edhe në tregjet e plehrave kimike, duke rrezikuar rritjen e çmimeve të produkteve bujqësore dhe të ushqimeve në mbarë botën.
Ekonomisti kryesor i OECD-së, Stefano Scarpetta, theksoi se ekonomitë aziatike do të jenë më të goditurat në rast të një konflikti të zgjatur, për shkak të varësisë së tyre nga energjia e importuar nga rajoni i Gjirit.
Megjithatë, raporti vëren se investimet në inteligjencën artificiale vazhdojnë të rriten me ritme të shpejta dhe mund të shërbejnë si një faktor pozitiv për ekonominë globale në vitet e ardhshme. Ndërkohë, OECD i ka bërë thirrje vendeve anëtare të rrisin investimet në energjinë bërthamore dhe burime të tjera të qëndrueshme për të forcuar sigurinë energjetike dhe për të ulur varësinë nga tregjet e paqëndrueshme./mxh
