Franca dhe Hungaria kanë premtuar forcimin e marrëdhënieve dypalëshe gjatë takimit të zhvilluar këtë të mërkurë në Paris mes Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrit hungarez Peter Magyar.
Në deklaratën e përbashkët për mediat, Macron tha se mbështetja për Ukrainën mbetet në qendër të diskutimeve mes dy vendeve, duke përmendur ndihmën financiare të Bashkimit Evropian për Kievin dhe paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë. Presidenti francez theksoi nevojën për të vazhduar presionin ndaj makinerisë ushtarake ruse dhe për të luftuar shmangien e sanksioneve.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte procesi i anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian. Macron deklaroi se negociatat duhet të ecin përpara sipas parimit të meritës së secilit vend kandidat.
Gjatë takimit, dy liderët ranë dakord të nisin punën për një partneritet të ri strategjik franko-hungarez, që synohet të përfundojë deri në fund të këtij viti. Sipas Macron, marrëveshja e re do të përshtatet me sfidat aktuale të Evropës dhe me objektivat për forcimin e sovranitetit evropian.
Nga ana e tij, Kryeministri hungarez Peter Magyar deklaroi se Hungaria dëshiron të rikthehet si një partnere konstruktive në Bashkimin Evropian. Ai premtoi forcimin e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke shtuar se vendi i tij është i gatshëm të zbatojë masa të mëtejshme kundër korrupsionit.
Magyar mirëpriti gjithashtu propozimin për marrëveshjen e re strategjike me Francën dhe kërkoi që ajo të përfshijë bashkëpunim të gjerë në ekonomi, diplomaci, kulturë dhe çështjet evropiane. Ai shprehu dëshirën që dokumenti të nënshkruhet para 23 tetorit, kur shënohet 70-vjetori i Revolucionit Hungarez të vitit 1956 kundër regjimit sovjetik.
Vizita e Magyar në Paris është pjesë e një turneu në kryeqytetet evropiane, ndërsa qeveria e tij synon të përmirësojë marrëdhëniet me partnerët e Bashkimit Evropian pas viteve të tensionuara nën drejtimin e ish-kryeministrit Viktor Orban./mxh
