Dhelprat, peshkaqenët dhe zogjtë puffin mund të bëhen së shpejti fytyrat e reja të kartëmonedhave britanike, duke zëvendësuar figura historike të njohura si Winston Churchill, Jane Austen dhe Alan Turing.
Banka e Anglisë ka publikuar një listë me 18 specie kafshësh të egra, nga të cilat publiku do të zgjedhë katër që do të shfaqen në serinë e ardhshme të kartëmonedhave prej 5, 10, 20 dhe 50 paundësh.
Vendimi vjen pas një konsultimi publik të zhvilluar vitin e kaluar, ku u përcaktua se tema e re e kartëmonedhave do të jetë natyra dhe fauna britanike.
Megjithatë, ndryshimi ka ngjallur debat në vend. Drejtues të partive kryesore opozitare kanë kritikuar idenë, duke argumentuar se largimi i figurave historike nga kartëmonedhat do të zvogëlojë praninë e personaliteteve që kanë formësuar historinë britanike.
Nga ana tjetër, mbështetësit e nismës e konsiderojnë atë një mënyrë për të promovuar biodiversitetin dhe pasurinë natyrore të Mbretërisë së Bashkuar. Shumë qytetarë kanë shprehur dëshirën që kafshët vendase të marrin një vend të veçantë në simbolikën kombëtare.
Monarku britanik do të vazhdojë të shfaqet në kartëmonedhat e reja, siç ndodh që prej vitit 1960. Ndërkohë, qytetarët kanë afat deri më 3 korrik për të propozuar ose mbështetur speciet e preferuara.
Lista përfshin mes të tjerash dhelprën e kuqe, peshkaqenin gjigant, iriqin evropian, bufin, shqiponjën bishtbardhë, delfinin hundëshishe dhe fluturën marsh fritillary.
Vendimi përfundimtar do të merret nga Guvernatori i Bankës së Anglisë, Andrew Bailey, deri në fund të vitit. Autoritetet kanë bërë të ditur se përzgjedhja nuk do të bazohet vetëm te popullariteti, por edhe te nevoja që kartëmonedhat të jenë lehtësisht të dallueshme dhe të përfaqësojnë të katër kombet e Mbretërisë së Bashkuar./mxh
