Shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian ka propozuar që misioni detar “Aspides” të marrë një rol kryesor në pastrimin e minave në Ngushticën e Hormuzit, kur kushtet ta lejojnë, si pjesë e një iniciative të udhëhequr nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.
Sipas një dokumenti të datës 26 maj, i parë nga agjencia Reuters, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm thekson se situata aktuale kërkon një kontribut të rëndësishëm të Bashkimit Evropian në këtë nismë ad hoc, e cila synon të veprojë e ndarë nga palët ndërluftuese.
Dokumenti është shpërndarë mes vendeve anëtare të BE-së, ndërsa çdo ndryshim në mandatin e misionit “Aspides” do të kërkonte miratim unanim të 27 shteteve anëtare.
Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse vendet e Bashkimit Evropian do të bien dakord për një zgjerim të tillë të mandatit, në një zonë me tensione të larta gjeopolitike si Ngushtica e Hormuzit.
Nisma vjen në një moment kur Evropa po shqyrton mënyra për të rritur praninë e saj në sigurinë detare ndërkombëtare dhe për të garantuar lirinë e lundrimit në një nga korridoret më strategjike të tregtisë globale./mxh
