Last Updated on 07/11/2026 by Monika
Policia e Lezhës ka zbardhur detaje nga zjarri i rëndë në një pallat në lagjen “Skënderbeg”. Sipas uniformave blu, zjarri ka rënë në banesën e shtetasit me iniciale A.L, si pasojë e një cigareje që kishte lënë ndezur pronari.
Si pasojë e flakëve, janë shkaktuar dëme në banesë, ndërsa pronari është shoqëruar në komisariat. Policia thekson se, gjendja e banorëve që shfaqën shenja asfiksimi është stabilizuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
“Më datë 07.11.2026, rreth orës 16:30, në lagjen “Skënderbeg”, Lezhë, në banesën e shtetasit A. L., dyshohet se, si pasojë e një cigareje të lënë ndezur prej tij, ka rënë zjarr.
Si pasojë e zjarrit, janë shkaktuar dëme materiale në banesën e shtetasit A. L. Zjarri është fikur nga shërbimet e Zjarrfikëses. Shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses kanë bërë të mundur evakuimin e banorëve të pallatit, duke parandaluar pasoja të mëtejshme.
Për shkak të tymit, disa shtetas, banorë të këtij pallati, kanë shfaqur shenja asfiksimi dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal Lezhë, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Shtetasi A. L. është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, ku po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, njofton Policia./Mxh
