Last Updated on 03/06/2026 by EL
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita ka mirëpritur këtë të mërkurë në një takim prezantues, ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Shqipëri, diplomatin Niklas Ström.
Referuar komunikatës së Policisë së Shtetit, Hita i ka treguar diplomatit suedez vizionin e tij për një Polici të Shtetit gjithnjë e më të mirëshkolluar, më të trajnuar dhe më profesionale, për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë së kohës.
Drejtori i Përgjithshëm falënderoi ambasadorin Ström, për praninë, dhe vlerësoi partneritetin me agjencitë ligjzbatuese suedeze, duke veçuar Programin për Forcimin e Policimit në Komunitet (SCPA), i cili do të vijojë deri në vitin 2029, Projektin Suedez për Policinë e Shtetit, si dhe mbështetjen për Policinë Shkencore, Policinë Rrugore dhe Akademinë e Sigurisë.
Gjithashtu, Drejtori theksoi se partneriteti pa barriera dhe i ndërtuar mbi besim të ndërsjellë, ka dhënë rezultate përsa i përket fushave me impakt shumë të lartë publik si: lufta kundër terrorizmit, policimi në komunitet, drejtësia për të miturit, lufta kundër dhunës me bazë gjinore, hetimi kriminal dhe shkëmbimi i informacionit.
Ndërkaq, Ambasadori, gjatë fjalës së tij, vlerësoi arritjet e deritanishme dhe theksoi angazhimin e plotë të Mbretërisë së Suedisë, për ta mbështetur më tej Policinë e Shtetit, në rrugën drejt modernizimit dhe përmbushjes së standardeve evropiane.
Drejtori dhe Ambasadori diskutuan dhe mbi prespektivat e qëndrueshme të të dyja projekteve që janë aktualisht në zbatim për aspekte të ndryshme të detyrave funksionale të Policisë. Nëpërmjet tyre, bashkëpunimi do të konkretizohet efektivisht, me disa projekte që kanë në fokus teknologjinë bashkëkohore në funksion të Policisë Rrugore, rritjen e kapaciteteve për hetimin e dhunës seksuale dhe me bazë gjinore, institucionalizimin e policimit të drejtuar nga inteligjenca dhe forcimin e kapaciteteve të hetimit të vendngjarjes./ET
