David Beckham do të shtojë një tjetër vlerësim prestigjioz në karrierën e tij. Ish-kapiteni i Anglisë do të nderohet me një yll në bulevardin e famshëm Hollywood Walk of Fame, duke u bërë pjesë e listës së personaliteteve që kanë lënë gjurmë në sport dhe argëtim.
Ceremonia e inaugurimit do të mbahet më 12 qershor në Los Anxhelos dhe pritet të mbledhë figura të njohura nga bota e sportit dhe showbiz-it. Mes të ftuarve do të jetë edhe bashkëshortja e tij, Victoria Beckham, e cila do të mbajë një fjalim gjatë aktivitetit.
Sipas organizatorëve, ky vlerësim vjen në një periudhë simbolike, ndërsa SHBA po përgatitet për ngjarje të mëdha futbollistike në vitet e ardhshme. Kontributi i Beckham në popullarizimin e futbollit në Amerikë, si dhe ndikimi i tij në kulturën globale, janë konsideruar faktorë kyç për këtë nderim.
Një detaj i veçantë është se në pllakën e tij do të shfaqet titulli “Sir David Beckham”, pas dekorimit me titull kalorësie nga Mbreti Charles.
Në ceremoni pritet të marrë pjesë edhe aktori Tom Cruise, ndërsa Beckham do të regjistrohet zyrtarisht si personi i 2,849-të që fiton një yll në Hollywood Walk of Fame.
Përzgjedhja për këtë nderim bazohet në sukseset profesionale, ndikimin afatgjatë në publik dhe angazhimin në aktivitete me ndikim shoqëror, kritere që Beckham i ka përmbushur gjatë gjithë karrierës së tij./mxh
