Drejtuesit ekzekutivë të kompanive shqiptare kanë shfaqur një optimizëm të moderuar në anketën vjetore të kompanisë globale të konsulencës Pricewaterhouse Coopers (PwC).
Anketimi i PwC për këtë përfshiu më shumë se 4400 drejtues ekzekutivë (CEO) të kompanive në të gjithë Botën, nga të cilët 47 në Shqipëri dhe në Kosovë.
Përgjigjet e CEO-ve nga Shqipëria dhe Kosova kanë tipare optimizmi të moderuar në afatin e shkurtër, ku 49% e tyre presin që të ardhurat e bizneseve të rriten gjatë 12 muajve të ardhshëm. Në një horizont parashikimi afatmesëm, optimizmi është pak më i lartë. 55% e tyre presin rritje të të ardhurave në harkun e tre viteve të ardhshme.
Erold Kamberi, menaxher i lartë në PwC Albania, thotë në podcastin e “Monitor”, Business Plus, se, në afatin e shkurtër, optimizmi shfaqet pak më i moderuar, i ndikuar sidomos nga tensionet gjeopolitike.
Në afat të mesëm, optimizmi i drejtuesve të korporatave shqiptare mund të shpjegohet me tendencat pozitive të teknologjisë, inovacionit dhe zhvillimit të inteligjencës artificiale.
Lidhur me rreziqet kryesore, drejtuesit ekzekutivë shqiptarë dhe ata nga Kosova kanë një pritshmëri të shpërndara dhe në përgjigjet e tyre nuk dominon një rrezik i vetëm.
Rreziku kryesor i listuar rezulton inflacioni, por vetëm me 28% të përgjigjeve. Vijon rreziku kibernetik, rreziku teknologjik, rrezikun e lidhur me mungesën aftësive dhe rrezikun nga gjeopolitika. Në të këtë pikë, CEO-t nga Shqipëria dhe Kosova kanë perceptim më të shpërndarë lidhur me rreziqet, ndërkohë që në nivel global ekziston tendenca që të ketë një përqendrim më të lartë të përgjigjeve te rreziqe të veçanta.
Anketimi tregon se CEO-t në Shqipëri dhe Kosovë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e inovacionit dhe gjysma e tyre shprehen se ai është pjesë qendrore në axhendën e tyre. Megjithatë, në praktikë duket se ekziston një hendek mes vetëdijes për rëndësinë e inovacionit dhe mundësive të biznesit për ta mbështetur atë.
“CEO-t e kanë kuptuar që pa inovacion ndoshta tani nuk ka të ardhme, nuk mund të jesh më ndoshta relevant, kështu që përgjigjen që marrim është që e kanë prioritet tashmë edhe në fokus inovacionin dhe rritjen. Por, ndryshon pak, ka një gap midis besimit edhe realitetit, sepse një pjesë e madhe e tyre shprehen që nuk kanë strukturat e duhura. Një pjesë e madhe ndoshta nuk janë të gatshëm të marrin kostot përsipër apo edhe rreziqet që mund të vijnë me inovacionin dhe teknologjinë apo kanë mungesë të aftësive të punonjësve dhe duhet të venë struktura në lojë për t’i zhvilluar këto aftësi,” thotë Kamberi.
Në veçanti, CEO-t nga Shqipëria dhe Kosova shfaqen shumë të vëmendshëm ndaj zhvillimeve me Inteligjencën Artificiale (IA). Madje, anketa tregon nivele më të larta të përdorimit të IA-së krahasuar me vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore (EQL).
Veçanërisht në shërbimet mbështetëse, Shqipëria dhe Kosova shfaqin përdorim të lartë të IA-së. Me 28%, përdorimi është pothuajse sa dyfishi i mesatares së EQL-së (15%) dhe tejkalon shifrën globale (20%). Hendeku më i madh rajonal vërehet në Gjenerimin e Kërkesës, ku 21% e CEO-ve lokalë raportojnë se aplikojnë IA-në, krahasuar me vetëm 5% në EQL dhe afër pikës referuese globale (22%). Me 21%, CEO-t nga Shqipëria dhe Kosova raportojnë se aplikojnë IA-në në planifikimin strategjik dhe vendimmarrjen, me norma më të larta se të anketuarit si në EQL (13%) ashtu edhe në nivel global (15%), duke sugjeruar një prirje relativisht më të fortë për të përfshirë IA-në në proceset e lidershipit dhe qeverisjes.
“Mesazhi që marrim është që inteligjenca artificiale nuk është këtu për të na zëvendësuar punën, nuk është këtu për të na lënë pa punë, por është interesante që mund t’i zëvendësojë punën dikujt që nuk e mëson IA-n dhe kjo del nga anketa jonë dhe është pak a shumë në linjë me shumë lajme që kanë qarkulluar mbi këtë temë edhe vitet e fundit, që inteligjenca artificiale me shumë mundësi nuk do na zëvendësojë, por do i zëvendësojë me siguri ata që nuk e mësojnë dhe nuk e përdorin inteligjencën artificiale,” thotë Kamberi. / Marrë nga Monitor.al/kb
