E ardhmja e Leon Goretzkës vazhdon të mbetet një nga çështjet më të diskutuara në merkaton europiane. Mesfushori gjerman, është futur në ditët e fundit të kontratës me Bayern Munich.
Për një periudhë të gjatë dukej se rruga e tij do ta çonte në Serinë A, ku Milani ishte klubi më i interesuar për shërbimet e futbollistit. Drejtuesit kuqezi e kishin identifikuar Goretzkën si një përforcim të rëndësishëm për mesfushën dhe palët kishin arritur një mirëkuptim paraprak për transferimin.
Në atë periudhë, projekti sportiv i Milanit parashikonte rikthimin në Ligën e Kampioneve dhe mesfushori gjerman konsiderohej një element me eksperiencë ndërkombëtare që mund të rriste nivelin e skuadrës.
Megjithatë, situata ndryshoi ndjeshëm pas fundit të sezonit. Mungesa e kualifikimit në Ligën e Kampioneve dhe ndryshimet e rëndësishme në strukturën teknike dhe drejtuese të klubit sollën pezullimin e negociatave.
Pas tërheqjes së Milanit, përfaqësuesit e futbollistit nisën të shqyrtonin alternativa të tjera në tregun europian. Një nga klubet që vazhdon të monitorojë situatën është Arsenal. Klubi londinez ka qenë prej kohësh një destinacion që pëlqehet nga mesfushori gjerman dhe mbetet një nga mundësitë më serioze për të ardhmen e tij.
Përveç Premier League, interesime kanë ardhur edhe nga kampionati turk. Klubet turke po vazhdojnë të investojnë në futbollistë me emër dhe përvojë ndërkombëtare, duke ofruar kontrata të rëndësishme financiare. Për këtë arsye, edhe emri i Goretzkës është lidhur me disa skuadra të elitës së futbollit turk.
Në Itali, vëmendja mbetet te Juventusi. Bardhezinjtë kishin kërkuar informacione për lojtarin që në pranverë, në kuadër të planit për të afruar futbollistë me eksperiencë dhe personalitet ndërkombëtar. Profili i Goretzkës vlerësohej si i përshtatshëm për të shtuar cilësi dhe peshë në repartin e mesfushës.
Megjithatë, kushtet aktuale e bëjnë operacionin më të komplikuar. Mungesa e Juventusit në Ligën e Kampioneve ka kufizuar mundësitë financiare të klubit dhe ka ndryshuar prioritetet në merkato./mxh
