Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, (IAEA), ka kërkuar akses të menjëhershëm në dhjetra objekte bërthamore në Iran.
Drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, thekson në raportin ende të papublikuar se Teherani u ka lejuar inspektorëve të agjencisë qasje vetëm në një impiant bërthamor gjatë muajve të fundit.
Grossi deklaroi se është “thelbësore” që organizata të kryejë pa vonesë aktivitetet e verifikimit në Iran, megjithëse pranoi se sulmet amerikano-izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane kanë krijuar një situatë të paprecedentë.
Irani ka kufizuar në masë të madhe bashkëpunimin me inspektorët e IAEA-s që nga fillimi i sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit më 28 shkurt. Megjithatë, pak ditë para mbledhjes së Bordit të Guvernatorëve të IAEA-s, e planifikuar për javën e ardhshme, autoritetet iraniane lejuan këtë javë një inspektim në centralin bërthamor të Bushehrit.
Sipas raportit, Irani zotëron gjithsej 22 objekte bërthamore, shumica e të cilave janë goditur gjatë konfliktit. Në qershor 2025, SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme të mëdha ndaj tre prej qendrave kryesore bërthamore iraniane.
Para këtyre sulmeve, sipas IAEA-s, Irani dispononte rreth 440 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60%. Ekspertët vlerësojnë se kjo sasi, nëse do të pasurohej më tej, mund të mjaftonte për prodhimin e disa armëve bërthamore. Teherani vazhdon të mohojë se synon të zhvillojë bombë atomike.
Aktualisht mbetet e paqartë se ku ndodhen dhe në çfarë gjendjeje janë rezervat e këtij materiali bërthamor.
Grossi paralajmëroi se humbja e vazhdimësisë së njohurive të IAEA-s mbi materialet bërthamore të deklaruara më parë në objektet e prekura duhet të zgjidhet me urgjencën më të madhe.
Ndërkohë, negociatat mes SHBA-së dhe Iranit për një marrëveshje kuadër që do t’i jepte fund konfliktit kanë mbetur të bllokuara prej muajsh. Ndër çështjet kryesore të pazgjidhura janë kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit dhe programi bërthamor iranian./mxh
