Në shënimet e kësaj jave në podkastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama ndau qëndrimet dhe vlerësimet mbi disa prej zhvillimeve më të rëndësishme të ditëve të fundit, duke u ndalur tek arritjet në fushën e mjedisit.
“Këtë javë Shqipëria u zgjodh me votë unanime në krye të Forest Europe, Europa e pyjeve, për mandatin 2026-2030, duke marrë stafetën nga Suedia. Bëhet fjalë për platformën më të rëndësishme paneuropiane, ku janë bashkë Bashkimi Europian dhe 45 vende europiane, që adreson pikërisht fushën e pyjeve dhe të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, duke iu referuar pikërisht pyjeve.
Ky është një vendim që ka një domethënie dhe domethënia, ma ha mendja, është e kuptueshme për të gjithë nëse i bëjmë pyetjen vetes: a mundet vallë të mendohet se Shqipëria mund të zgjidhej në krye të kësaj organizate kaq të rëndësishme 10 vjet më parë? 10 vjet më parë, kur në zonat tona të mbrojtura kërciste gjuetia e paligjshme dhe flamingot, jo vetëm që vriteshin, por edhe haheshin.
10 vjet më parë, kur pyjet priteshin dhe kamionët me dru pyjesh venin e vinin vargan-vargan lart e poshtë, nga veriu në jug?
10 vjet më parë, kur as nuk bëhej fjalë për zona të mbrojtura, se edhe zonat e mbrojtura që ishin, ishin tokë pa zot, ndërkohë që shumëçka që duhej vënë në mbrojtje vetëm bëhej pre e babëzisë.
Sa hidrocentrale do të ishin ndërtuar në Vjosë nëse 10 vjet më parë ne nuk do t’i kishim thënë stop gjithë marrëzisë së Shqipërisë mini superfuqi energjetike e rajonit?
Çfarë do të kishte ndodhur sikur në këto 10 vjet, ne të mos e kishim zgjeruar hartën e zonave të mbrojtura në 25% të territorit të Shqipërisë etj.?
Pra, fakti që nuk e imagjinojmë dot se Shqipëria do të ishte zgjedhur në krye të këtij forumi dhe do të merrte stafetën nga Suedia, dhe mbi të gjitha që Shqipërinë do ta mbështesnin fuqishëm dy vende, të cilat kanë një reputacion absolut për sa i përket mënyrës se si mbrojnë dhe administrojnë pyjet, Republika Federale e Gjermanisë dhe Mbretëria e Bashkuar.
Pra, fakti që, besoj, nuk e imagjinojmë dot të gjithë së bashku, pavarësisht dallimeve që mund të kemi në të gjitha aspektet e tjera, që nuk imagjinojmë dot se Shqipëria do të merrte kryesimin e Forest Europe 10 vjet më parë, por e merr sot duke marrë stafetën nga Suedia me bekimin e të gjitha vendeve, me një mbështetje shumë të zëshme në procesin e shqyrtimit të kandidaturave nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Mbretëria e Bashkuar, duhet të na thotë diçka edhe për të sotmen, duhet të na thotë diçka edhe për mënyrën se si në të sotmen qeverisin dhe udhëheqin ata të cilët e kanë bërë këtë transformim”, tha Rama mes të tjerave./kb
