Sot në 7 qershor shënohen 100 ditë nga fillimi i luftës që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën kundër Iranit, por presidenti Donald Trump po has vështirësi të mëdha për të mobilizuar mbështetjen e publikut amerikan.
Qysh para nisjes së sulmeve ajrore, shumica e amerikanëve shprehën kundërshtim ndaj një konflikti të tillë. Me fillimin e luftimeve më 28 shkurt, kur u vranë udhëheqësi suprem i Iranit Ali Khamenei dhe disa zyrtarë të lartë, opinioni publik nuk përmirësoi perceptimin e luftës, dhe shumë amerikanë e shohin luftën si të panevojshme dhe të dëmshme për vendin.
Sipas profesorit Shibley Telhami nga Universiteti i Maryland, vetëm pak amerikanë mendojnë se kjo luftë i shërben interesave kombëtare të SHBA-ve. Kjo mungesë mbështetjeje është shqetësuese për Trump dhe Partinë Republikane, sidomos me zgjedhjet e pjesshme të Kongresit që afrohen në nëntor. Një sondazh i Universitetit të Maryland-it tregon se vetëm 16% e votuesve besojnë se SHBA-të ka fituar ose po fiton luftën. Shumica, përfshirë 33% të republikanëve, besojnë se konflikti ka pasur më shumë efekte negative sesa pozitive për interesat amerikane.
Lufta ka shkaktuar gjithashtu pasoja ekonomike të dukshme. Irani ka bllokuar Gjirin dhe veçanërisht Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kryesore për transportin e energjisë, duke rritur ndjeshëm çmimet e naftës dhe gazit.
Shumë amerikanë e lidhin këtë konflikt direkt me rritjen e kostos së jetesës: një sondazh i fundit tregon se 79% e votuesve e shohin luftën si një faktor që ka ndikuar në financat e tyre, përfshirë shumicën e republikanëve, demokratëve dhe të pavarurve.
Edhe pse ka pasur një armëpushim më 6 prill, shpërthime të vogla vazhdojnë në rajon dhe bllokada iraniane në Hormuz nuk është hequr. Përpjekjet diplomatike, megjithë deklaratat e Trump për një marrëveshje të mundshme, nuk kanë sjellë ndonjë zgjidhje të madhe, duke e lënë situatën në një gjendje “as lufte, as paqeje”.
Ekspertët vënë në dukje se ky konflikt nuk është më vetëm çështje e politikës së jashtme, por një problem ekonomik që do të ndikojë rëndë në zgjedhjet e mesit të mandatit./mxh
