Last Updated on 07/06/2026 by Monika
Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e sotme në Shijak. Sipas informacioneve policore pas një konflikti mes dy personave në lagjen Lugina, një prej tyre ka mbetur i plagosur në këmbë.
I plagosur ka mbetur shtetasi B.G., i cili është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa vijojnë kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes.
Njoftimi i policisë:
Shijak/Informacion paraprak
Rreth orës 17:30, në lagjen Lugina, Shijak, dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta ndërmjet shtetasve B. G. dhe E. B., ka mbetur i plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi B. G.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit E. B., autorit të dyshuar të plagosjes.
Shtetasi B. G. është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./mxh
