Last Updated on 08/06/2026 by Kesjana
– Në një kohë kur dermatologjia estetike po evoluon me ritme të shpejta, mjekja dermatologe Erinda Kollçaku u shfaq si një nga zërat profesionistë të aktivitetit shkencor të mbajtur në Tiranë, ku u prezantuan teknologjitë më të fundit dhe qasjet bashkëkohore në trajtimet e lëkurës.
Në këtë konferencë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas dhe të huaj, doktoresh Kollçaku referoi mbi zhvillimet dhe transformimet që teknologjia moderne ka sjellë në dermatologjinë estetike, duke u ndalur veçanërisht te rëndësia e harmonizimit mes teknologjisë së avancuar dhe rezultateve natyrale në trajtimin e pacientëve.
Në fjalën e saj, ajo theksoi se dermatologjia moderne nuk synon më vetëm korrigjimin estetik, por një qasje të personalizuar dhe të kujdesshme, ku ruajtja e natyralitetit të fytyrës dhe lëkurës mbetet element thelbësor i suksesit të trajtimit.
Sipas saj, përdorimi i teknologjive të reja në dermatologji ka mundësuar trajtime më të sakta, më të sigurta dhe me kohë më të shkurtër rikuperimi, duke rritur ndjeshëm cilësinë e shërbimeve në këtë fushë.
Dr. Kollçaku u vlerësua për kontributin e saj profesional në zbatimin e metodave bashkëkohore dermatologjike, duke sjellë në praktikën klinike një qasje të bazuar në kujdes të detajuar, rezultate të natyrshme dhe standarde të larta estetike.
Në aktivitet u vu në pah rëndësia e shkëmbimit të eksperiencave mes specialistëve ndërkombëtarë dhe mjekëve shqiptarë, si një mënyrë për të forcuar më tej standardet në dermatologjinë estetike dhe për të sjellë praktika të reja në shërbim të pacientëve.
Në këtë kontekst, pjesëmarrja e mjekes se njohur Kollçaku u konsiderua pjesë e një brezi mjekësh që po kontribuojnë në modernizimin e dermatologjisë shqiptare, duke e afruar atë gjithnjë e më shumë me praktikat dhe standardet ndërkombëtare./kb
