Sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme në Shqipëri po kalon nëpër një dinamikë të fortë zhvillimi, e cila po diktohet nga projektet e mëdha strategjike, kërkesa e lartë e blerësve të huaj dhe sfidat me krahun e punës. Gjatë një interviste të dhënë në podcastin “Pjaca” nën moderimin e gazetarit Alfred Peza, sipërmarrësi i njohur Artan Dulaku ka bërë një skanim të hollësishëm të situatë ekonomike në vend, duke u ndalur specifikisht te projekti 4 miliardë dollarësh i Zvërnecit, i cili sipas tij do të ndryshojë rrjedhën e zhvillimit kombëtar.
Dulaku argumentoi se investimi në zonën bregdetare të Vlorës, veçanërisht në segmentin nga Vjosa në Orikum, përbën një mundësi që duhet shfrytëzuar me shpejtësi nga investitorët përpara se tregu të shtrenjtohet. Ai e cilësoi këtë projekt si unik në shkallë rajonale: “Zona e Zvërnecit, por unë do të sugjeroja Vlorën, nga Vjosa në Orikum. Duhet të investojnë tani, sepse më vonë nuk do të kenë mundësi. Investimi 4 miliardë dollarë në Zvërnec do të ndryshojë jetën e zonës dhe të gjithë Shqipërisë. Në Ballkan nuk ka investime të këtij niveli. Vlora do të jetë një “manastir” jashtë krizës për dy faktorë: investimi i madh i huaj dhe aeroporti”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te balanca mes dy poleve kryesore të ndërtimit në vend, Tiranës dhe bregdetit, sipërmarrësi pranoi se kryeqyteti po shfaq shenjat e para të mbingopjes, gjë që rrit hapësirën e zgjedhjes për blerësit, ndërsa theksoi rëndësinë e përzgjedhjes së kompanive serioze në treg. “Ne luftuam të vinim në kapitalizëm, i cili e ka brenda zhvillimin ciklik dhe gjithmonë ka një krizë. Në Tiranë dhe në bregdet janë dy kantieret më të mëdha të ndërtimit. Në bregdet ka hapësira, ndërsa në Tiranë ka filluar një fazë “ngopjeje”. Blerësit mund ta shohin këtë si një opsion për to pasur më shumë zgjedhje. Do t’u rekomandoja kompani serioze, nuk është e rëndësishme 100 euro më pak apo më shumë, aq sa është e rëndësishme të shesësh më vonë atë ku ke derhdur gjakun dhe lodhjen. Kur blen shtëpinë e parë, blen edhe shtëpinë e dytë”, tha Dulaku.
Ky interes nuk kufizohet vetëm te blerësit vendas, por është shtrirë gjerësisht edhe te shtetasit e huaj, ku rasti i italianëve dhe polakëve dëshmon qartë se si perceptohet Shqipëria përpara integrimit të plotë në Bashkimin Europian. “Janë 30 mijë italianë rezidentë në Shqipëri dhe e kanë lehtësuar tregun. Kishim një ekip të interesuar nga Polonia për të blerë ndërtimet tona. Unë u ofrova bregdetin, por interesi i tyre ishte për Tiranën. Ne po presim të hyjmë në BE, kur kjo ndodh, rriten çmimet dhe automatikisht përfundon një operacion imobiliar i suksesshëm. Ne futemi në Europë për pak vite dhe këta e shohin si mundësi: 100 mijë euro për një polak nuk janë gjë kur të ardhurat e tyre janë të larta, kur ata investojnë këtu, nuk kanë as taksa”, sqaroi më tej ai.
Një tjetër çështje me ndjeshmëri të lartë publike e trajtuar gjatë bisedës ishte edhe ajo e origjinës së kapitaleve në ndërtim dhe dyshimet për pastrim parash. Dulaku u tregua i prerë duke bërë dallimin mes fenomeneve abuzive dhe parave legjitime të emigracionit shqiptar që vijnë nga puna në të zezë jashtë vendit, ndonëse nuk fshehu faktin se tregu ka aktualisht një numër të konsiderueshëm pronash të pashitura. “Në ndërtim edhe pastrohen para, por kjo mund të ndodhë edhe në vende të tjera. Por ngatërrohet fakti që 1 milion shqiptarë kanë paratë më të pastra në botë, por janë të detyruar të bëjnë punë të padeklaruara, në të zezë, dhe i sjellin cash sepse punëdhënësi ashtu ua ka dhënë. Ky qëndrim denigrues është absurd; jo çdo para që hyn në Shqipëri është e pistë. Në asnjë mënyrë nuk duhet trembur ajo popullatë që punon mjaftueshëm. Pallatet bosh janë realitet, ne si kompani kemi pallate bosh”, pohoi ai.
Në mbyllje të analizës së tij, Dulaku u ndal te burimet njerëzore dhe profesionale që vënë në lëvizje këtë industri. Ndërsa vlerësoi maksimalisht rritjen e një brezi të ri arkitektësh shqiptarë, ai pranoi se për vepra specifike infrastrukturore si portet apo stadiumet vendi ka ende nevojë për ekspertizën e huaj. Ndërkohë, sa i përket krahut të punës, zgjidhja po gjendet gjithnjë e më shumë jashtë kufijve: “Ne kemi një super klasë arkitektësh; janë të talentuar dhe kanë bërë gjëra të vlefshme. Na duhet ndihma e arkitektëve të huaj; për fat të keq, shqiptarët nuk kanë bërë një marinë, sepse s’kemi përvojë. Për një pallat sporti apo një stadium kemi nevojë për ndihmë dhe nuk është turp, bur për një pallat 12-katësh e teprojmë. Problem është krahu i punës; po marrim nga jashtë, nga India, Pakistani dhe Egjipti, sepse janë më produktivë. Tani është koha më e mirë ekonomike e Shqipërisë; gjithkush po flet për Shqipërinë”, përfundoi Dulaku./a.d
