Ai parapëlqente shpellat ndaj akuariumeve dhe kishte një vaskë me fund transparent që dilte mbi tavanin e kuzhinës. Por pjesa më e madhe e veprave të tij të guximshme është shkatërruar. Një ekspozitë në Nju Jork rikthen në vëmendje krijimtarinë e tij.
Nga Oliver Ueinrajt
Një strukturë mahnitëse, e krijuar nga një rrjet elementesh të holla çeliku dhe plane xhami që kryqëzohen me njëri-tjetrin, ngrihet në një rrugë të Manhatanit, duke formuar një kullë kristalore mes një vargu të rregullt shtëpish qytetare. Elementet e fasadës duken sikur rrëshqasin pranë njëri-tjetrit, duke krijuar një varg marramendës hapësirash të brendshme. Shkallë të varura lidhin katet e ndërmjetme, ndërsa bimët zbresin nga ballkonet që duken sikur qëndrojnë pezull në ajër.
Është një botë magjepsëse pasqyrash, zgavrash, ndarjesh dhe panelesh të palosshme. Një pallat prej pleksiglasi dhe pllakash gipsi, që të krijon përshtypjen se mund të ndryshojë formë në çdo çast, njësoj si robotët lodër japonezë të ekspozuar mbi një nga raftet e bardha të ndërtesës.
Kjo është ndërtesa Modulightor, vizioni futurist i shtëpisë së Paul Rudolfit, një arkitekt i njohur për ndërtimet e tij monumentale brutaliste, por që gjatë karrierës kaloi nëpër disa etapa dhe stile të ndryshme. Në vitet 1950 ai nisi të projektonte shtëpi të lehta e të ajrosura buzë plazheve të Sarotas, në Florida, përpara se, në vitet 1960, të shndërrohej në mjeshtrin energjik të megastrukturave gjigante prej betoni. Pas rënies nga moda të modernizmit të tij të ashpër, Rudolfi e përfundoi karrierën në Nju-Jorkun e viteve 1980, duke projektuar ambiente luksoze për festa, ndërsa në kohën e lirë pikturonte modele robotësh Voltron.
Një model i ndërtesës Modulightor, me format e saj që ndryshojnë, u ekspozua në Muzeun Metropolitan të Artit, në kuadër të ekspozitës “Hapësira e materializuar: Arkitektura e Paul Rudolfit”. Ishte ekspozita e parë e madhe e arkitekturës në këtë muze pas më shumë se 50 vjetësh, që nga retrospektiva kushtuar Marsel Breuerit në vitin 1972. Çuditërisht, ishte edhe ekspozita e parë muzeale që i kushtohej tërësisht krijimtarisë së jashtëzakonshme të Rudolfit, i cili vdiq në vitin 1997.
Është një vonesë që mund të quhet tragjike. Shumë nga krijimet e guximshme të arkitektit janë shkatërruar gjatë dy dekadave të fundit. Vrulli i buldozerëve ka ecur më shpejt sesa koha që iu desh amerikanëve për të kuptuar vlerën e trashëgimisë së tyre arkitekturore të pasluftës.
Dhe shumë prej tyre ende nuk e kanë kuptuar.
Në fakt, u desh ardhja e një kuratori britanik, Abraham Tomas, dikur pjesë e Muzeut të Sir Xhon Soejnit në Londër, që veprës së Rudolfit t’i jepej platforma që meritonte. Në disa salla modeste të Metropolitaneut, një brez i ri admiruesish të arkitekturës mund të shihet duke u mahnitur nga krijimet e tij monumentale, pikërisht në një kohë kur këto ndërtesa po shkatërrohen me vendimin e brezave të vjetër, të cilët e konsideronin Rudolfin një tiran të etur për pushtet.
Të krijohet përshtypja se muzeu nuk e kishte parashikuar popullaritetin e kësaj ekspozite dhe se hapësira e saj duhej të ishte më e madhe. Përballë atyre që adhurojnë vëllimet e tij të skalitura në beton me brazda, ka ende njerëz që kujtojnë projektin e tij për të shembur një pjesë të madhe të Manhatanit të Poshtëm, në mënyrë që mbi të të ndërtohej një autostradë shumëkatëshe. Shumë arkitektë kanë qenë figura përçarëse, por pak janë adhuruar, urryer dhe më pas rehabilituar në një shkallë të tillë sa Rudolfi.
Pavarësisht nëse preferoni betonin e gdhendur me çekiç apo atë të derdhur në kallëpe klasike, është e vështirë të mos magjepsesh nga vizatimet e tij të përpikta, të paraqitura në ekspozitë. Rudolfi ishte vizatuesi më i jashtëzakonshëm i brezit të tij dhe një nga të paktët arkitektë të rangut të tij që i realizonte vetë vizatimet, i ulur në tryezën e punës, me vizoren paralele dhe stilolapsin teknik Rotring në dorë.
Të zhytesh në botët e tij perspektive, ku vijëzimet e dendura krijojnë efekte hipnotike, është një kënaqësi më vete. Shkallë që të kujtojnë labirintet e gravurave të Piranesit kërcejnë përmes atriumeve marramendëse, ndërsa masat gjigante të betonit dalin nga faqja me dinamizmin e një komiksi fantastiko-shkencor të Dan Derit.
Vizatimet e Rudolfit nuk ishin thjesht përshkrime të hapësirave. Metoda e tij e vizatimit ndikonte drejtpërdrejt në mënyrën se si ndërtoheshin veprat. “Disa materiale janë më të lehta për t’u paraqitur përmes vizatimit sesa të tjerat”, kishte thënë ai. “Kjo ndoshta shpjegon një pjesë të interesit tim për betonin dhe sipërfaqet me teksturë të theksuar në përgjithësi.”
Përdorimi i vijave paralele për të krijuar dritë dhe hije në letër u shndërrua në përdorimin e betonit me brazda për të prodhuar të njëjtin efekt në realitet.
Ekspozita përfshinte edhe një nga kallëpet prej druri të përdorura për derdhjen e mureve të ndërtesës së Artit dhe Arkitekturës në Universitetin Jeil. Kallëpi ishte pajisur me brinjë të pjerrëta, të cilat krijonin atë efektin karakteristik të betonit me vija të theksuara. Siç vërente kritiku Rejner Banam: “Është një nga të paktat ndërtesa që njoh, e cila, kur fotografohet, duket tamam si një vizatim, me të gjitha hijet në pjesën e jashtme sikur të jenë krijuar me një laps shumë të butë.”
Por studentët e arteve nuk ishin aq të entuziazmuar.
Ndërtesa, e përfunduar në vitin 1963, kur Rudolfi ishte drejtues i departamentit të arkitekturës, u bë e famshme për hapësirat e papërshtatshme të punës dhe atmosferën e saj shtypëse. Skulptorët ankoheshin për studiot me tavane të ulëta, të cilat u ngjanin birucave, ndërsa piktorët detyroheshin të punonin në dhoma ku drita jugore ishte e tepruar. Një zjarr në vitin 1969, që shkatërroi pjesën më të madhe të ndërtesës, iu faturua, jo pa ironi, studentëve të pakënaqur. Më vonë ndërtesa u restaurua dhe, siç ndodh me disa vepra të Rudolfit, me kalimin e viteve fitoi më shumë vlerësim.
Studiot e skulpturës në Jeil mund ta kenë çuar disi në ekstrem idenë e hapësirës së zymtë, por Rudolfi ishte i interesuar për fuqinë e hijeve po aq sa për atë të dritës. Ai u distancua nga bota klinike dhe e pastër e stilit ndërkombëtar, të cilin e kritikonte se thjesht thoshte: “Le të kemi dritë”, pa u përpjekur ta kontrollonte atë në planin psikologjik.
Ai e përshkruante përvojën e ecjes përgjatë Park Avenjus në Nju-Jork, të rrethuar nga blloqe zyrash me fasada xhami, si shfletimin e faqeve të një katalogu të prodhuesve të dritareve.
Bota kishte nevojë për më shumë “shpella”, mendonte ai, dhe më pak “akuariume”.
Kisha e tij e Parë në Boston ishte një nga këto shpella magjepsëse. Drita depërtonte përmes hapjeve të pjerrëta në mure dhe reflektohej nga shirita bakri të vendosur mes brinjëve të betonit karakteristik të Rudolfit.
Në Nju Hejvën, Konektikat, garazhi i tij i parkimit në Rrugën Tëmëll ishte një tjetër ëndërr për adhuruesit e arkitekturës së rëndë dhe monumentale. Kolonat e skalitura të ndërtesës të krijojnë përshtypjen sikur janë nxjerrë nga një masë e vetme shkëmbore.
“Është një ndërtesë që kremton automobilin, ashtu siç stadiumi romak kremtonte karrocën”, deklaronte Rudolfi, i cili në vitin 1963 pozoi mbi çatinë e saj për një fotosesion të revistës Vogue, së bashku me kupénë e tij të dashur Jaguar XK120.
Një vend që e adhuron automobilin nuk do të mendonte kurrë të shembte një katedrale kushtuar makinave. Megjithatë, Qendra e Shërbimeve Qeveritare në Boston, një tjetër vepër monumentale e arkitektit, ka qenë prej kohësh nën kërcënimin e shkatërrimit. Një mundësi shpëtimi mund të jetë shndërrimi i saj në ndërtesë banimi.
Përpjekjet e vetë Rudolfit në fushën e banesave patën rezultate të përziera. Shtëpitë e tij të hershme në Florida, të ndërtuara sipas parimeve të lehtësisë që ai kishte mësuar gjatë shërbimit në marinë, sot konsiderohen perla arkitekturore. Ato janë ndër pikat më tërheqëse të javës vjetore të Modernizmit në Sarotas. Për fat të keq, klubi i tij buzë plazhit u shkatërrua nga një uragan i kohëve të fundit.
Eksperimentet e mëvonshme nuk patën të njëjtin fat. Një projekt banimi me elemente të parafabrikuara në Nju Hejvën, i ndërtuar në vitin 1970 me çati të harkuara prej kompensate, vuajti nga rrjedhjet e ujit dhe u shemb një dekadë më vonë.
Edhe apartamentet e tij në Shorlajn, në Bufalo të Nju-Jorkut, patën probleme. Një vizatim i jashtëzakonshëm ajror, i paraqitur në ekspozitë, tregonte një kompleks kullash të shkallëzuara, me forma pyke, të ngjashme me peizazhet futuriste të Luftërave të Yjeve, të vendosura rreth një marine. Por nga i gjithë vizioni u realizua vetëm një pjesë e ulët e kompleksit dhe edhe një pjesë e kësaj është shkatërruar më vonë me buldozer.
Ndërsa në Shtetet e Bashkuara interesi për megastrukturat brutaliste po venitej, Rudolfi gjeti një publik më të hapur në Azi. “Në vende ku postmodernizmi ende nuk ka depërtuar”, shkruante me ironi revista Architectural Record në vitin 1989.
Kullat e tij Lippo Centre, me fasada xhami pasqyruese në Hong-Kong, që duken si një interpretim abstrakt i pandave duke u ngjitur në dy pemë, vazhdojnë të jenë ndër rrokaqiejt më origjinalë të horizontit të qytetit.
Edhe kulla e tij e zyrave në Xhakartë, e projektuar si një grumbull çatisht të dala përpara, sipas arkitekturës tradicionale indoneziane, mbetet një shembull i mënyrës se si mund të krijohet hijezimi i një ndërtese shumëkatëshe në klimat e nxehta.
Por ëndrra e Rudolfit për t’u bërë një “arkitekt rrokaqiejsh” në vendin e tij dhe për të përjetuar një rikthim të vonë në karrierë, ashtu siç kishte ndodhur me Frenk Lloid Rajtin në të shtatëdhjetat e tij, nuk u realizua kurrë.
E gjithë kjo i bën ndërtesat e mbijetuara të Rudolfit, veçanërisht Modulightor-in, edhe më të çmuara. Ajo ishte e vetmja vepër e tij në Nju-Jork që kishte mbijetuar e paprekur dhe ishte e hapur për publikun.
Rudolfi e zhvilloi projektin gjatë viteve 1980 së bashku me partnerin e tij të jetës, Ernst Vagnerin. Ndërtesa do të shërbente si seli për biznesin e tyre të ndriçimit dhe do të përfshinte edhe dy apartamente dupleks.
Në vitin 2023, ndërtesa mori statusin e monumentit të mbrojtur, ndërsa sot është selia e Institutit Paul Rudolph për Arkitekturën Moderne, i cili organizon vizita të rregullta dhe ekspozita. Ndërkohë, kompania e ndriçimit Modulightor vazhdon të punojë në katet e poshtme, duke prodhuar ndriçues të personalizuar në një punishte në bodrum.
Duke ecur nëpër katet me nivele të ndryshme të apartamenteve, ku hapësirat shpalosen me ndërlikimin e muzeut të Soejnit dhe ku ekspozohen objekte të artit fisnor e sende të gjetura gjatë udhëtimeve të çiftit, mund të kuptosh Rudolfi si një mjeshtër të vërtetë të kompozimit hapësinor. Por edhe si një klient jashtëzakonisht kërkues.
“Ai u kërkonte ndërtuesve të mbanin në duar copa kartoni ose pllaka gipsi”, tregon Kelvin Dikinsën, president i institutit, “dhe u thoshte: ‘Lëvize, lëvize… mirë, tani gozhdoje!’ Ai i prishte vazhdimisht gjërat dhe i rindërtonte derisa të arrinte pikërisht atë që kërkonte. Ky proces e çoi disa herë drejt falimentimit.”
E gjithë kjo ishte një mikrokozmos i shtëpisë së tij, disa blloqe më tutje, në adresën 23 Bikman Plejs, e cila sot është ndryshuar në pjesën më të madhe dhe në kohën e shkrimit ishte në shitje për 18,5 milionë dollarë. Rudolfi e kishte konceptuar si një laborator për eksperimente të vazhdueshme hapësinore.
Ishte një botë fantazie prej kromi dhe pleksiglasi, e përshkuar nga kalime të ngushta e të rrezikshme dhe shkallë pa parmakë. Dhomat e gjumit kishin dysheme të mbuluara me lëkurë deleje, ndërsa banjat ishin veshur me material metalik reflektues, të zbukuruar me rrathë pasqyrash.
Ajo ishte skena e festave të panumërta dhe të çmendura. Madje, kishte edhe një vaskë me fund transparent, e cila depërtonte përmes tavanit dhe ofronte pamje të pazakonta nga kuzhina poshtë saj.
Kjo ishte bota private e një ish-ushtaraku me flokë të prerë shkurt, biri i një predikuesi metodist: një njeri i ashpër dhe i vrazhdë nga jashtë, por lozonjar në botën e tij të brendshme.
Një nga ish-studentët e Rudolfit, Stenli Tigermani, e kishte përmbledhur dikur në mënyrë mjaft domethënëse karakterin e tij kompleks:
“Pauli ishte një bastard i mjerë dhe i lig”, kishte thënë ai. Por, në të njëjtën kohë, ishte “thjesht mësuesi më i mirë që kam pasur ndonjëherë… Ishte i jashtëzakonshëm, ishte një vrasës”.
Një njeri që, ndryshe nga shumë të tjerë, dinte të ndërthurte betonin e rëndë me dritat dekorative dhe perdet me rruaza.
