Ariana Grande dhe Ethan Slater i kanë dhënë fund në heshtje lidhjes së tyre, raportojnë TMZ dhe People. Sipas burimeve pranë çiftit, ndarja ka ndodhur “disa muaj më parë”, ndërsa vendimi është marrë pas “shumë kohe dhe reflektimi”.
Burime për TMZ kanë treguar se ndarja ka qenë miqësore dhe se dy artistët vazhdojnë të mbeten miq dhe mbështetës të njëri-tjetrit. “Ata e menduan me kujdes këtë vendim, por në fund vendosën t’i japin fund marrëdhënies romantike”, shkruan media amerikane.
Një burim për People dha të njëjtin informacion, duke theksuar se: “Gjithçka është mbyllur në mënyrë paqësore. Ata i dhanë kohë dhe konsideratë situatës dhe vendosën të ndjekin rrugë të ndara. Ende mbeten miq dhe mbështesin shumë njëri-tjetrin.”
Sipas People, Ariana Grande po kalon shumë mirë këtë periudhë dhe aktualisht është e fokusuar te turneu i saj “Eternal Sunshine”. Ndërkohë, TMZ raportoi gjithashtu se albumi i saj i ardhshëm, “petal”, nuk do të përqendrohet te marrëdhënia apo ndarja me Slater.
Edhe pse prej kohësh nuk janë parë bashkë në publik, Grande kishte bërë një postim të rrallë për Ethan Slater në mars, duke e përgëzuar për përfundimin e shfaqjes së tij off-Broadway “Marcel on the Train”.
Romanca mes Ariana Grande dhe Ethan Slater u bë publike në korrik të vitit 2023. Gjatë gjithë lidhjes, ata preferuan ta mbanin jetën private larg vëmendjes mediatike dhe shmangën daljet publike si çift, veçanërisht gjatë promovimit të filmit “Wicked: For Good”.
Në shtator 2025, pasi Grande mori pjesë e vetme në MTV VMAs, një burim për Entertainment Tonight kishte deklaruar se çifti ishte ende bashkë dhe shumë i lumtur, por preferonte privatësinë.
Ndërsa në një intervistë për Vanity Fair në vitin 2024, Grande kishte folur me shumë dashuri për Slater, duke thënë: “Nuk ka njeri në këtë botë që përpiqet më shumë për njerëzit që do. Ai ka zemrën më të mirë.”/mxh
