Last Updated on 10/06/2026 by EL
Papunësia në Shqipëri në tremujorin e parë të vitit përllogaritet në 8.4 për qind. Kjo sipas të dhënave zyrtare Krahasuar me fundvitin e shkuar treguesi është rritur me 0.1 për qind, ndërsa në raport me një vit më parë ka rënë me 0.3 pikë.
Megjithatë shifra zyrtare pak përputhem me realitetin në terren ku shumë qytetarë enden në kërkim të një vendi pune. “Tregu i punës po kalon një paradoks. Nga njëra anë bizneset raportojnë vështirësi në gjetjen e stafit, ndërsa nga ana tjetër një pjesë e qytetarëve vazhdojnë të kenë vështirësi për t’u integruar në punësim. Kjo tregon se problemi nuk lidhet vetëm me numrin e vendeve të punës, por edhe me përputhjen mes aftësive që kërkon tregu dhe atyre që ofron fuqia punëtore”, thotë Klodjan Shaqiri, ekspert i funksioneve të burimeve njerëzor.
Në një kohë që treguesi i përgjithshëm i papunësisë mbetet në nivele të kënaqshme, e kundërta ndodh me të rinjtë. Treguesi i punësimit në tremujorin e parë të vitit te kjo kategori ra në 42.8 për qind nga 44.8 për qind një vit më parë.
“Të rinjtë po përballen gjithnjë e më shumë me pasiguri në tregun e punës. Shumë prej tyre zgjedhin emigrimin ose punësimin sezonal, ndërsa të tjerë hasin vështirësi për të gjetur vende pune që përputhen me formimin dhe pritshmëritë e tyre profesionale. Kjo krijon një humbje të kapitalit njerëzor për ekonominë”, thotë Shaqiri.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë ndërkohë se hendeku në punësim mes grave dhe burrave vijon të jetë prezent. Shkalla e papunësisë te meshkujt në tremujorin e parë të vitit ishte vetëm 7.6 për qind, ndërsa te femrat 9.2 për qind.
“Pjesëmarrja më e ulët e grave në tregun e punës mbetet një sfidë strukturore. Faktorë të tillë si përgjegjësitë familjare, mungesa e shërbimeve mbështetëse dhe mundësitë e kufizuara në disa sektorë vazhdojnë të ndikojnë në aksesin dhe qëndrueshmërinë e tyre në punësim. Reduktimi i këtij hendeku kërkon politika më të targetuara dhe afatgjata”, thotë Shaqiri.
Shqetësues mbetet edhe fakti se papunësia e të rinjve ka pësuar një rritje të ndjeshme me 1,8 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin paraardhës./et
