Last Updated on 10/06/2026 by EL
Sistemi i ri i Hyrjeve/Daljeve (EES) i Bashkimit Evropian, i cili u prezantua me qëllim modernizimin e kontrolleve kufitare, po përballet me vështirësi dhe konfuzion në muajt e parë të funksionimit të tij.
Sipas raportimeve, një zyrtar i BE-së ka pranuar se mund të duhen deri në dy vite që sistemi të stabilizohet plotësisht, një situatë që është cilësuar nga industria e udhëtimeve si “shumë e dhimbshme”.
Frontex, agjencia që ndihmon në menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së, ka theksuar se mbledhja e të dhënave biometrike, veçanërisht gjurmët e gishtërinjve të udhëtarëve jo-BE në hyrjen e tyre të parë në Zonën Shengen, është një nga sfidat kryesore të implementimit të sistemit.
Zëvendësdrejtori ekzekutiv i Frontex, Uku Särekanno, deklaroi se procesi i regjistrimit të parë është pjesa më e vështirë e sistemit.
“Ne presim që situata të stabilizohet brenda një ose dy vitesh, sepse pjesa më sfiduese është regjistrimi i parë”, tha ai gjatë një aktiviteti në Londër të organizuar nga ABTA.
Ai shtoi se po punohet për të siguruar një qasje më të unifikuar në procedurat kufitare në të gjithë vendet e BE-së, duke theksuar se aktualisht ka dallime në mënyrën e zbatimit nga shteti në shtet.
“Po përpiqemi të sigurohemi që të ketë një qasje koherente ndaj procedurave kufitare. Po bëjmë shumë përpjekje për të siguruar që praktikat të jenë të harmonizuara”, u shpreh Särekanno.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i ABTA-s, Mark Tanzer, e ka cilësuar paralajmërimin për një periudhë dyvjeçare stabilizimi si “shumë të dhimbshëm” për industrinë e udhëtimeve.
Probleme me zbatimin e sistemit janë raportuar në disa vende të BE-së, ku disa shtete kanë ndjekur qasje të ndryshme, duke shkaktuar radhë dhe vonesa në aeroporte dhe pika kufitare, përfshirë destinacione të njohura turistike si Spanja, Portugalia dhe Franca.
Sipas autoriteteve, që nga mesi i prillit sistemi EES është menduar të funksionojë plotësisht në të gjithë Zonën Shengen, por zbatimi i tij ka hasur vështirësi praktike.
Greqia fillimisht kishte pezulluar përkohësisht disa kontrolle për qytetarët britanikë, por më pas e ka tërhequr këtë vendim, duke konfirmuar se nuk ka përjashtime nga procedurat e EES. /ET
