Last Updated on 10/06/2026 by EL
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kritikoi presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan pas komenteve të tij në lidhje me operacionet ushtarake izraelite në rajon, duke e quajtur atë një “diktator antisemit” dhe duke hedhur poshtë kritikat e tij ndaj Izraelit.
Netanyahu akuzoi Erdoganin për “shtypjen e kundërshtarëve politikë” dhe mbështetjen e lëvizjes palestineze Hamas, duke deklaruar se presidentit turk i mungon besueshmëria morale për të kritikuar Izraelin, raportoi The Times of Israel.
“Diktatori antisemit Erdogan, i cili kryen gjenocid kundër kurdëve, mbështet organizatën terroriste Hamas, shtyp popullin e tij dhe burgos kundërshtarët politikë, është personi i fundit që mund t’i predikojë moral Izraelit”, tha kryeministri izraelit në një deklaratë.
Ai tha se Izraeli do të vazhdojë aktivitetet ushtarake kundër Iranit dhe grupeve që i konsideron aleatë të tij, duke theksuar se ata përfaqësojnë një kërcënim për sigurinë e rajonit.
“Izraeli dhe Ushtria e Mbrojtjes, ushtria më morale në botë, do të vazhdojnë të veprojnë fuqishëm kundër Iranit dhe aleatëve të tij, të cilët kërcënojnë Lindjen e Mesme dhe të gjithë botën”, tha Netanyahu.
Erdogan më parë tha se sulmet izraelite në Siri dhe Liban kanë arritur në një nivel që përbën kërcënim edhe për Turqinë, duke vlerësuar se “agresioni” izraelit kërcënon stabilitetin e të gjithë rajonit dhe botës.
Për vite me radhë, Turqia është përballur me kritika nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe disa vende perëndimore për trajtimin e kundërshtarëve politikë dhe operacionet ushtarake kundër grupeve kurde në Turqi, Siri dhe Irak.
Ankaraja i hedh poshtë akuzat për gjenocid kundër kurdëve./et
