Për të dytën ditë radhazi, Belfasti dhe zona të tjera të Irlandës së Veriut janë përfshirë nga trazira të dhunshme pas sulmit me thikë ndaj 27-vjeçarit Stephen Ogilvie.
Si pasojë e incidenteve, të paktën 27 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet po hetojnë rolin e mundshëm të rrjeteve sociale në nxitjen e dhunës.
Familja e të plagosurit ka dënuar publikisht trazirat, duke kërkuar që ngjarja të mos përdoret për të nxitur urrejtje dhe përçarje.
Në një deklaratë të publikuar nga shërbimet e policisë së Irlandës veriore, familjarët thanë se ndihen të tronditur nga djegiet e banesave, automjeteve dhe sulmet ndaj policisë.
Ata sqaruan gjithashtu gjendjen shëndetësore të Ogilvie, duke bërë të ditur se ai ka humbur syrin e majtë dhe ka pësuar plagë të tjera të rënda, por gjendja e tij mbetet e qëndrueshme. Familja u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me policinë dhe të ndalojnë përhapjen e informacioneve të rreme në internet.
Policia ka paralajmëruar se po heton postime dhe fotografi të rreme që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe që, sipas saj, përdoren për të përhapur frikë dhe për të nxitur urrejtje.
Ndërkohë, autoritetet britanike po shqyrtojnë ndikimin e platformave sociale dhe mesazheve të shpërndara online në organizimin e trazirave.
Për sulmin me thikë është arrestuar dhe lënë në paraburgim 30-vjeçari Hadi Aladdin, i cili përballet me akuzën për tentativë vrasjeje. Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se autoritetet do të veprojnë kundër kujtdo që nxit dhunën dhe përçarjen në shoqëri./kb
