Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk është më nën regjimin e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas më shumë se pesë vitesh nga vendimi fillestar, Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur të shfuqizojë masën “non grata” ndaj ish-kryeministrit shqiptar.
Ky zhvillim ka sjellë reagime të menjëhershme dbrenda radhëve të opozitës shqiptare, e cila e ka cilësuar këtë vendim si një triumf politik dhe moral.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, e cilëson vendimin si një fitore të së vërtetës dhe të dinjitetit. Noka shprehet se ky vendim dëshmon dështimin e atyre që, sipas tij, synonin eliminimin politik të liderit të opozitës.
Sali Berisha u shpall person i padëshirueshëm (“non grata”) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në maj të vitit 2021, me argumentin e përfshirjes në korrupsion të rëndësishëm dhe minim të demokracisë – akuza të cilat u hodhën poshtë në mënyrë të vazhdueshme nga vetë Berisha dhe mbështetësit e tij, të cilët i cilësuan ato si të motivuara politikisht./a.d
