Gjenerali rus Damir Davydov, i konsideruar si një nga figurat kyçe të programit raketor të Rusisë, raportohet se është vrarë në Moskë pas shpërthimit të automjetit të tij. Edhe pse Kremlini nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar, mediat dhe kanalet e specializuara në Telegram kanë identifikuar viktimën si drejtuesin e strukturës përgjegjëse për prodhimin e raketave dhe artilerisë së rëndë ruse.
Sipas raportimeve, në automjetin BMW X3 të Davydovit ishte vendosur rreth gjysmë kilogrami eksploziv. Makina shpërtheu pak minuta pasi ishte larguar nga parkingu i kompleksit rezidencial “Aviatorov”, ku jetojnë oficerë të lartë të ushtrisë ruse.
Ngjarja kujton atentatin e prillit 2025 ndaj gjeneralit Yaroslav Moskalik, i cili u vra në të njëjtin kompleks. Moskalik ishte përgjegjës për planifikimin operacional të forcave të armatosura ruse.
Davydov kishte ndërtuar karrierën e tij në sektorin strategjik të raketave. Ai u rrit në Zareçni, një zonë sekrete e njohur gjatë periudhës sovjetike për zhvillimin e teknologjive raketore. Në vitin 2019, ai u identifikua nga një publikim i Ministrisë së Mbrojtjes ruse si drejtues i GRAU-së, strukturës që mbikëqyr prodhimin e raketave dhe artilerisë së rëndë.
Roli i tij mori rëndësi të veçantë pas nisjes së luftës në Ukrainë. Sipas vlerësimeve, industria ushtarake ruse prodhon rreth 800 raketa balistike dhe 150 raketa hipersonike në vit, ndërsa Davydov konsiderohej një nga personat që garantonte furnizimin e vazhdueshëm me raketat Iskander, Kalibr, Kh-101, Zircon dhe Kinzhal, të përdorura në sulmet kundër Ukrainës.
Vrasja e tij ka ngritur pikëpyetje të reja mbi sigurinë e zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë. Pavarësisht masave të shtuara të sigurisë pas atentatit ndaj Moskalik, autorët kanë arritur të godasin sërish në zemër të Moskës.
Burime të ndryshme sugjerojnë se pas sulmit mund të qëndrojnë shërbimet sekrete ukrainase, megjithëse deri tani nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga Kievi apo Moska. Hetimet për ngjarjen janë në vazhdim./mxh
