Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, zhvilloi të mërkurën, 10 qershor, një vizitë në bazën detare amerikane të Guantanamos në Kubë, në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump po rrit presionin ndaj Havanës për të ndërmarrë ndryshime politike dhe ekonomike.
Sipas Pentagonit, qëllimi i vizitës së Hegseth në Guantanamo, si dhe ndalesa e tij më vonë në selinë e Komandës Qendrore të SHBA-ve (CENTCOM) në Tampa të Floridës, ishte takimi me trupat amerikane.
Pamjet e publikuara nga Pentagoni e treguan Hegseth duke u stërvitur me marinsat pranë zonës kufitare që ndan bazën amerikane nga territori kubanez. Ai zhvilloi gjithashtu një vrapim përgjatë një pjese të bazës, të cilën e cilësoi si “një pjesë shumë të rëndësishme dhe strategjike të territorit amerikan”.
Gjatë vizitës, Hegseth lëshoi edhe një paralajmërim ndaj Kubës, duke deklaruar se SHBA-të do të jenë të gatshme për çdo skenar nëse Havana përpiqet të sigurojë armë që mund të kërcënojnë territorin amerikan ose vetë bazën e Guantanamos.
“E ardhmja e Kubës është në duart e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe udhëheqjes kubaneze. Pavarësisht se çfarë ndodh, Departamenti i Mbrojtjes do të jetë i përgatitur për çdo kontingjencë të mundshme”, tha ai.
Por deklarata që tërhoqi më shumë vëmendje ishte ajo për të burgosurit e Guantanamos.
Hegseth tha se personat e mbajtur në këtë bazë për lidhje me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 “duhej të ishin ekzekutuar prej kohësh” për krimet e kryera kundër popullit amerikan.
Komenti i tij pritet të ndezë polemika, pasi çështja e të burgosurve të Guantanamos dhe statusi i tyre ligjor ka qenë prej vitesh objekt debatesh të forta në SHBA dhe në arenën ndërkombëtare.
Rreth dy javë më parë, gjenerali Francis L. Donovan, i cili drejton operacionet ushtarake amerikane në Amerikën Latine dhe Karaibe, zhvilloi një takim me një zyrtar të lartë ushtarak kubanez pranë vijës ndarëse mes territorit të kontrolluar nga SHBA-të dhe pjesës tjetër të ishullit. Ky ishte takimi i parë i tillë mes forcave amerikane dhe kubaneze në më shumë se një vit.
Edhe drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, vizitoi Kubën muajin e kaluar.
Baza e Guantanamos, e rrethuar nga një fushë e minuar në anën kubaneze dhe e mbrojtur nga marinsat amerikanë, funksionon si një qytet i vogël amerikan, plotësisht i pavarur nga ekonomia e Kubës.
Furnizimet mbërrijnë rregullisht nga SHBA-të me anije dhe avionë, duke përfshirë gaz natyror të lëngshëm dhe produkte ushqimore.
Hegseth kishte vizituar për herë të fundit Guantanamon në shkurt të vitit 2025, kur promovoi planin e administratës Trump për të strehuar aty mijëra emigrantë të ndaluar në kuadër të goditjes ndaj emigracionit të paligjshëm. Megjithatë, programi nuk u zgjerua sipas planit fillestar. Deri më tani, më pak se 900 emigrantë janë dërguar në Guantanamo, ndërsa aktualisht aty mbahen vetëm pesë persona.
Në Tampa, Hegseth falënderoi personelin ushtarak dhe civil për kontributin e tyre në konfliktin me Iranin, duke theksuar se tashmë kanë kaluar më shumë se 100 ditë nga operacionet kryesore luftarake, armëpushimi dhe bllokada e vendosur ndaj Teheranit. Komanda Qendrore e SHBA-ve është struktura që drejton operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme./mxh
