Kryeministri britanik Keir Starmer ka hedhur poshtë pretendimet se ka humbur autoritetin në drejtimin e qeverisë, duke deklaruar se është i gatshëm të luftojë për të mbajtur postin nëse përballet me një sfidë për lidershipin.
Deklaratat e Starmer vijnë në një moment presioni politik, pas kritikave të forta mbi politikat e mbrojtjes dhe financimit të ushtrisë. Ai theksoi se siguria kombëtare mbetet prioriteti i tij kryesor, në një kohë kur bota po përballet me konflikte të shumta dhe pasiguri në rritje.
Kryeministri tha se ka marrë vendime të vështira për të ridrejtuar fonde nga departamente të tjera drejt mbrojtjes, duke argumentuar se investimet ushtarake janë thelbësore për sigurinë e vendit.
Komentet e tij vijnë një ditë pasi ministri i Mbrojtjes, John Healey, dha dorëheqjen duke kritikuar qeverinë për mungesë angazhimi financiar ndaj mbrojtjes. Dorëheqja konsiderohet një goditje e re për autoritetin e kryeministrit, ndërsa brenda Partisë Laburiste po shtohen zërat kritikë.
I pyetur nëse do të largohej nga posti në rast të një gare për lidershipin, Starmer u shpreh i vendosur të qëndrojë, duke theksuar se nuk dëshiron ta fusë vendin në një periudhë kaosi politik.
Megjithatë, ai pranoi se rezultatet e fundit zgjedhore kanë qenë zhgënjyese dhe se duhet të rikthejë besimin e votuesve.
Analistët politikë në Londër vlerësojnë se javët e ardhshme mund të jenë vendimtare për të ardhmen politike të Starmer, ndërsa presioni brenda partisë vazhdon të rritet./mxh
