Last Updated on 16/06/2026 by Anisa
Një aksident i rëndë detar është regjistruar pasditen e djeshme në Gjirin e Ksamilit, ku një mjet lundrues është përplasur me një skaf të Policisë Kufitare të Sarandës, duke i marrë jetën një të riu 20-vjeçar.
Sipas burimeve zyrtare dhe njoftimeve paraprake të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30, kur i riu, banues në Ksamil, po drejtonte një mjet lundrues tip jet ski në zonën detare pranë bregut. Për arsye që ende po hetohen, mjeti i tij është përplasur me skafin e policisë që ndodhej në monitorim të hapësirës detare.
Si pasojë e përplasjes së fortë, i riu ka pësuar dëmtime të rënda dhe është nxjerrë menjëherë nga deti nga efektivët dhe personat e tjerë që ndodheshin në zonë. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Sarandës, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Ky është momenti kur Albiano Kreçi humb kontrollin e mjetit lundrues dhe përplaset me skafin e Policisë Kufitare në Ksamil, aksident që i kushtoi jetën.
Në ngjarje janë përfshirë edhe dy persona të tjerë, të cilët janë dërguar për kontroll mjekësor në spital, ndërsa gjendja e tyre raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorinë, po punon për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit, përfshirë shpejtësinë e lëvizjes, pozicionin e mjeteve dhe respektimin e rregullave të lundrimit në zonë./a.d
