Luftanija Tirpitz kaloi një pjesë të Luftës së Dytë Botërore e fshehur në fjordet norvegjeze: dëmtimi i mjegullave toksike të përdorura për ta fshehur atë nga sytë e aleatëve mbetet ende sot.
Gjatë pjesës më të madhe të Luftës së Dytë Botërore, marina aleate u përpoq disa herë të fundoste Tirpitz, anijen kryesore të flotës gjermane. Anija ushtarake e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj operative e fshehur në fjordet norvegjeze, duke mbajtur të zënë armiqtë që e kërkonin në mënyrë konvulsive. Derisa u gjet dhe u bombardua në nëntor 1944.
Gjurmë të gjithshme
Megjithatë, përpara se të fundosej, ekuipazhi i Tirpitz përdori acid klorosulfonik (një substancë gërryese që, kur ekspozohet ndaj ajrit, prodhon re të trasha tymi toksik) disa herë për të krijuar një mjegull të dendur që mund ta fshihte atë nga armiku. Efektet e këtij helmi janë ende të dukshme sot në pishat që rrethojnë vendin e tij të fshehtë, siç zbulohet nga një studim i paraqitur së fundmi në Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Evropian të Gjeoshkencave (EGU), në Austri.
Zbulimi u bë nga një grup kërkimor nga Universiteti Johannes Gutenberg në Mainz (Gjermani) gjatë disa analizave të pyjeve rreth Kafjordit, një nga fjordet në bregdetin norvegjez ku fshihej anija. Kur shkencëtarët analizuan unazat e trungjeve të pishës në laborator, ata zbuluan se ato që korrespondonin me 1945 ishin ose shumë të holla ose mungonin fare.
Parazitet?
Fillimisht ata ia atribuan shkakun e fenomenit dëmtuesve, por asnjë nga ata që njiheshin në mesin e viteve 1900 nuk mund të kishte shkaktuar një dëm të tillë. Pikërisht atëherë mendimi shkoi te Tirpitz: para ardhjes së satelitëve, 2500 burrat e ekuipazhit të anijes iu drejtuan kimisë për t’i shpëtuar shikimeve të armikut, duke shkaktuar kështu edhe dëme të qëndrueshme në pyje.
Dëshmitarët
Disa pemë nuk u rritën për 9 vjet pas vitit 1944, të tjerat shfaqin unaza të parregullta të rritjes për 30 vitet e ardhshme. Ndoshta tymi toksik i zhveshi bimët nga të gjitha degët, duke ndryshuar proceset e rritjes së tyre për një kohë të gjatë. Studimi i unazave të rritjes së bimëve si dëshmitarë të ngjarjeve të luftës merr emrin e dendrokronologjisë së luftës dhe, siç shihet, ofron perspektiva interesante.
Përgatiti për botim: L.Veizi
