Last Updated on 17/06/2026 by EL
Parlamenti Europian miratoi të mërkurën ndryshime në politikën e Bashkimit Europian për kthimin e shtetasve të vendeve të treta që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në territorin e unionit. Sipas institucioneve europiane, rregullat e reja synojnë të thjeshtojnë dhe përshpejtojnë procedurat e kthimit, duke respektuar të drejtat themelore dhe ligjin ndërkombëtar.
Legjislacioni i ri parashikon që çdo vendim kthimi i lëshuar nga autoritetet kombëtare të shoqërohet me detyrimin për t’u larguar menjëherë ose brenda një afati të caktuar nga vendi anëtar përkatës.
Shtetasit e vendeve të treta ndaj të cilëve është marrë një vendim kthimi do të jenë të detyruar të bashkëpunojnë me autoritetet. Për përgatitjen e kthimit të tyre, ata mund të ndalohen pas një vlerësimi individual, në rastet kur nuk bashkëpunojnë, paraqesin rrezik largimi ose konsiderohen rrezik për sigurinë. Ndalimi mund të urdhërohet nga një autoritet administrativ ose gjyqësor dhe të zgjasë deri në 24 muaj.
Rregullat e reja u japin autoriteteve kombëtare edhe mundësinë për të ndërmarrë veprime hetimore që lidhen me procesin e kthimit, përfshirë kontrolle të personave, banesave apo ambienteve të tjera, si dhe kontrollin dhe sekuestrimin e sendeve personale dhe pajisjeve elektronike, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe atë europian.
Një nga elementët e rinj të paketës është mundësia e transferimit të personave me vendim kthimi, me përjashtim të të miturve të pashoqëruar, në të ashtuquajturat “qendra kthimi” në territorin e vendeve të treta që pranojnë t’i marrin ata. Kjo do të bëhet në bazë të marrëveshjeve të lidhura nga shtetet anëtare të BE-së me këto vende.
Raportuesi i dosjes në Parlamentin Europian, Malik Azmani, tha se qytetarët europianë presin që personat pa të drejtë qëndrimi të kthehen në vendet e tyre të origjinës dhe se miratimi i rregullave të reja plotëson sistemin europian të migracionit.
Marrëveshja e arritur me Këshillin e BE-së më 1 qershor u miratua nga Parlamenti Europian me 418 vota pro, 218 kundër dhe 30 abstenime. Teksti pritet të miratohet zyrtarisht edhe nga Këshilli përpara publikimit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian dhe hyrjes në fuqi./et
