Autoritetet amerikane kanë penguar një plan të dyshuar për të sulmuar eventin e UFC-së të zhvilluar të dielën në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa pesë persona janë arrestuar në kuadër të operacionit, njoftoi Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.
Sipas prokurorëve federalë, të dyshuarit planifikonin të përdornin dronë të pajisur me eksplozivë për të goditur ndërtesa pranë kompleksit presidencial dhe më pas të qëllonin me snajperë ndaj “objektivave me vlerë të lartë”.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se “sulmet e planifikuara u ndalën plotësisht”, duke e cilësuar operacionin si një aksion të koordinuar në disa shtete amerikane.
Të arrestuarit janë identifikuar si Tycen C. Proper,19 vjeç, Bryan Omar Roa, 24 vjeç, Michael Alan Thomas, 32 vjeç, Daniel K. Eskridge, 32 vjeç dhe Abraham Hermosillo Alvarez, 31 vjeç. Ata u arrestuan në Ohio, Kaliforni, Missouri dhe Nebraska, ndërsa secili përballet me akuza për komplot për vrasje.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se grupi synonte të krijonte panik mes pjesëmarrësve përmes sulmeve me dronë, duke detyruar turmën të largohej drejt zonave ku do të vepronin snajperët. Më pas, sipas planit të pretenduar, një “valë e dytë” sulmuesish do të tentonte të hynte përmes portave të Shtëpisë së Bardhë.
Hetimet nisën pasi nëna e Proper kontaktoi autoritetet më 10 qershor, e shqetësuar për blerjet e shumta të armëve nga djali i saj dhe komunikimet e tij online me një grup që pretendohej se përbëhej nga ish-ushtarakë dhe individë me bindje të forta fetare.
Prokurorët thanë se grupi synonte të “nisë një revolucion” duke eliminuar persona të pasur dhe politikanë të rëndësishëm. Në dokumentet e gjykatës përmenden si objektiva të mundshëm presidenti Donald Trump, zëvendëspresidenti JD Vance, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, miliarderi Elon Musk dhe disa zyrtarë të tjerë të zgjedhur.
Sipas FBI-së, anëtarët e grupit komunikonin që nga marsi përmes një grupi në TikTok me emrin “Vanguard of the Old Republic”, ndërsa rekrutimet kryheshin kryesisht përmes kësaj platforme.
Departamenti i Drejtësisë pretendon se Alvarez kishte rolin kryesor në organizimin e sulmit dhe ishte përgjegjës për përdorimin e dronëve. Hetuesit gjetën gjithashtu harta të Uashingtonit ku ishin shënuar pozicionet e planifikuara të snajperëve, pikat e nisjes së dronëve dhe rrjetet energjetike që mund të përdoreshin si objektiva.
Nëse shpallen fajtorë, të pestë të arrestuarit rrezikojnë burgim të përjetshëm dhe gjobë deri në 250 mijë dollarë. Për Proper janë ngritur edhe tre akuza shtesë, përfshirë komplot për kryerje dhune në territorin e Shtëpisë së Bardhë. Seanca paraprake gjyqësore është caktuar për 29 qershor.
Eventi i UFC-së u zhvillua të dielën në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara. Në aktivitet morën pjesë rreth 4.300 të ftuar, ndërsa afro 85 mijë persona e ndoqën nga zonat përreth./mxh
