Last Updated on 18/06/2026 by Anisa
Ndërsa Evropa po përgatitet për një valë të fortë të nxehti me temperatura që në disa zona mund të arrijnë deri në 40°C, dy studime të publikuara në Francë paralajmërojnë për pasojat serioze shëndetësore të temperaturave ekstreme.
Sipas një studimi të organizatës Oxfam, nxehtësia mendohet të jetë përgjegjëse për rreth 5.400 vdekje çdo vit në Francë. Organizata e cilëson situatën si një “emergjencë të vërtetë të shëndetit publik”, që ende nuk po trajtohet siç duhet nga autoritetet. Studimi tregon se gjatë valëve të të nxehtit rreziku i vdekjes nga infarkti rritet me 7%, ndërsa në ditët më të nxehta vdekshmëria tek gratë është dy herë më e lartë. Kur temperaturat ekstreme zgjasin më shumë se një javë, rreziku për insuficiencë akute të veshkave rritet me 70%. Raporti thekson gjithashtu se ndryshimet klimatike po thellojnë pabarazitë sociale. Zonat më të varfra janë më të ekspozuara ndaj nxehtësisë, me një shkallë vdekshmërie të tepërt 31% më të lartë krahasuar me lagjet më të pasura. Banorët e zonave urbane më të pasura rezultojnë deri në 10 herë më pak të rrezikuar nga temperaturat ekstreme. Një studim tjetër i fondacionit francez për strehimin zbulon se 66% e qytetarëve kanë vështirësi të përballojnë vapën brenda banesave të tyre, ndërsa 40% e shtëpive nuk janë të pajisura plotësisht me grila apo sisteme mbrojtëse kundër mbinxehjes. Lagjet e varfra preken më shumë për shkak të ndërtimeve të dendura, mungesës së hapësirave të gjelbra, banesave që nxehen lehtësisht, gjendjes më të dobët shëndetësore të banorëve dhe profesioneve që i ekspozojnë më shumë ndaj vapës. Për këtë arsye, organizatat u bëjnë thirrje autoriteteve franceze të përshpejtojnë rikonstruksionin termik të banesave, të investojnë më shumë në përshtatjen e qyteteve ndaj klimës dhe të krijojnë plane të posaçme për mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara gjatë valëve ekstreme të të nxehtit.
